Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me përdorimin e masave të njëhershme financiare nga Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se ato nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në reagimin e saj publik, Oda Amerikane theksoi se ndihma për kategoritë e cenueshme dhe mbrojtja e fuqisë blerëse janë të rëndësishme, por shtoi se pagesat e përkohshme kanë efekt vetëm afatshkurtër dhe nuk adresojnë problemet strukturore të ekonomisë.
Sipas këtij institucioni, masat që fokusohen kryesisht në konsum mund të ndikojnë në rritjen e importeve, pa prodhuar zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë vendore.
Oda Amerikane kërkoi orientim më të madh drejt investimeve strategjike në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore, duke theksuar se forcimi i sektorit privat është kyç për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike afatgjatë.












