Gjermania dhe Franca sot i kanë përforcuar kërkesat ndaj Kosovës për nisjen e zbatimit të zotimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ambasadorët e këtyre vendeve në një tryezë sot në Prishtinë e theksuan më me zë se ai nuk është një Republikë Srpska dhe se është një detyrë shtëpie që Kosova duhet ta bëjë në mënyrë që të lëvizë përpara. Por, kujt ia drejtuan këtë kërkesë ambasadorët Jorn Rohde e Olivier Guerot?
Kosova ka ngecur në krijimin e institucioneve edhe pas gati katër muajve pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta të shkurtit. Me një qeveri me mandat teknik dhe Kuvend ta pakonstituuar, Kosovës sot iu kërkua të nisë zbatimin e zotimit që ka marrë në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit për themelimin të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pa pasë kujt t’i drejtohen veçanërisht, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot, ishin të zëshëm të tregonin se përmbushja e këtij kushti do ta nxirrte Kosovën nga stagnimi drejt rrugës së saj të integrimit europian.
“Do të ndryshojë shumë atmosferën në kryeqytetin tim”, tha Guerot për skenarin ku Kosova e merr seriozisht këtë çështje dhe e dërgon statutin në Gjykatë, si dhe fillon implementimin.
“Në vend se të pyesni se çfarë do të ndodhë nëse bëhet Asociacioni, vetëm pyetni vetën çfarë do të ndodhë nëse Asociacioni nuk bëhet!”, tha ai, duke shtuar se përgjigjja është shumë e qartë.
Duke përjashtuar pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Europian, Guerot tha se 22 vendet njohëse nuk janë të interesuara ta bëjnë Kosovën vend jofunksional.
“Ishte një përpjekje nga ana jonë që të propozojmë një statut sepse s’ka pasë përpjekje nga ana e Kosovës që të punojë seriozisht në këtë statut dhe as gatishmëri”.
Për komentet që Asociacioni do t’i ngjajë etnitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Guerot udhëzoi të lexohet Marrëveshja e Dejtonit dhe çfarë është Republika Srpska.
“Nuk është një Republikë Srpska, aspak. Lexoni sërish Marrëveshjen e Dejtonit. Po shënojmë 30-vjetorin e Dejtonit. Lexoni se çfarë është Republika Srpska dhe krahasojeni me statutin. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Nuk ka polici për Asociacionin. Nuk ka funksion legjislativ për Asociacionin. Asociacioni do të jetë nën kushtetutë, jo pjesë e kushtetutës siç është Republika Srpska”, tha Guerot.
Në fjalën pas Guerot edhe Rohde u përpoq të hiqte dilemat mbi rrezikun e krijimit të një mekanizmi të ngjashëm me Republikën Srpska. Krahas kësaj, Rohde kërkoi nga Kosova që t’i bëjë detyrat e shtëpisë dhe të mos i ngatërrojë ato me “kompromise”.
“Këto nuk janë kompromis. Janë detyra shtëpie. Janë detyra shtëpie për Kosovën që është dashur të bëhen. Dhe nëse nuk bëhen, ka një çmim që duhet paguar”.
“Dhe unë kam qenë në Deçan me ambasadorë pesë herë, e di, njëzet ambasadorë. Kemi bërë demarshe, dhe ajo (çështja) u krye ditën e fundit, vitin e kaluar në Këshillin e Europës, në një mënyrë që nuk e rriti besimin se u bë për arsye të sundimit të ligjit, por thjesht për përvojë politike”.
Pas kërkesës për Asociacionin, Rohde u bëri thirrje politikanëve t’i bëjnë detyrat e shtëpisë për formim të institucioneve dhe të kujdesen për imazhin e Kosovës.
“Nesër kemi seancën e 23-të për të provuar zgjedhjen e kryeparlamentarit, çfarë mesazhi jep kjo? Detyrat e shtëpisë duhet të bëhen nga politikanët. Bëni dhe mund të ecim përpara, duke filluar me krijimin e institucioneve”.
Rohde dhe Guerot thirrje për Asociacionin bënë edhe gjatë një paraqitje të përbashkët televizive javën e kaluar.