Gazetari Parim Olluri ka shprehur kritika të ashpra ndaj propozimit të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për krijimin e një qeverie të unitetit.
Olluri tha se ideja për një qeveri të tillë nuk është e realizueshme dhe se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Duke ironizuar, ai tha se propozimi prej 15 pikash i Abdixhikut do të kishte më shumë kuptim nëse vjen nga një qeverisje e Nexhmedin Spahiut, por jo në kushtet aktuale politike.
“Më duket pak e çuditshme që partia e tretë e merr kaq seriozisht këtë ide,” tha Olluri.
Ai u shpreh gjithashtu se në një qeveri uniteti duhet të jetë përfshirë Vetëvendosje, dhe është e pamundur që një qeveri e tillë të realizohet me pjesëmarrjen e figurave që sipas tij nuk kanë pasur rezultate të suksesshme në menaxhimin e çështjeve emergjente, siç është menaxhimi energjetik.
“Ose të shkojmë drejt zgjedhjeve, ose të shohim se si realizohet kjo qeveri uniteti që po propozohet, sepse vetingun që pretendon ta bëjë LDK-ja, Vetëvendosja nuk e bëri në katër vjet, dhe tani duan ta bëjnë në një qeveri të tillë – kjo është hajgare,” u shpreh Olluri në emisionin Pressing.