Gazetari Parim Olluri ka reaguar pas arrestimit të Rinas Zeqirit, kandidatit për asamble komunale të Artanës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një operacion anti-drogë të realizuar të shtunën në Gjilan.
Olluri me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se përfshirja në trafik droge e akterëve është bërë veprim i zakonshëm në Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
“Edhe nje anetar i rendesishem i Vetevendosjes perfundon ne burg per droge.Perfshirja ne trafik te droges eshte bere veprim i zakonshem ne Vetevendosje”, ka shkruar ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Artanës, Abdyl Gashi të dielën ka konfirmuar se Rinas Zeqiri i cili u arrestua nga Policia e Kosovës, ka qenë kandidat për Asamble komunale nga VV.
Gashi tha se Zeqiri ishte anëtarësuar vonë në VV, dhe se kishin besuar që mund të kontribuoj në Asamble.
“E kemi njohur së fundi dhe kemi besuar se si i ri, me gatishmëri për të punuar, mund të jepte një kontribut në Asamble. Për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë tona”, ka shkruar Gashi në Facebook. /Insajderi.org/