Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka komentuar edhe dialogun Kosovë – Serbi gjatë një takimi me një grup gazetarësh në Prishtinë në përfundim të misionit të tij në Kosovë.
Ai ka theksuar se një takim në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i domosdoshëm për të çuar përpara procesin e dialogut.
“Sigurisht, kjo duhet të ndodhë dhe për mua është shumë e vështirë të paramendoj që kur Kaja Kallas të ftojë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në takim, dhe përgjigja nga ndonjëri prej tyre të jetë: ‘Jo, më fal nuk do të vij në takim nga ndonjëri prej tyre… Sepse nëse nuk flasim me njëri-tjetrin, është e pamundur të zgjidhet ndonjë problem”, ka deklaruar Orav.
Sipas tij, ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian synon pikërisht organizimin e takimeve të tilla, për të prodhuar rezultate konkrete.
Orav vlerësoi se organizimi i një takimi të nivelit të lartë varet nga vullneti politik i të dyja palëve, duke lënë të kuptohet se refuzimi i pjesëmarrjes nuk do të ishte i arsyeshëm.
Ai shtoi se takimet e nivelit të lartë nuk janë thjesht simbolike, por kërkojnë përgatitje serioze nga diplomatët për të qenë të suksesshme.
Duke folur për çështjet e ndjeshme që e shoqërojnë dialogun, Orav theksoi se ato duhet të trajtohen në tryezë dhe jo të shërbejnë si pengesë.
“I kuptoj plotësisht problemet që i përmendët lidhur me sulmin në Banjskë, lidhur me mungesën e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, por këto çështje mund të diskutohen. Nëse nuk diskutohen, atëherë nuk arrijmë asgjë”, u shpreh ai për Telegrafin.














