E ftuar në emisionin “Debat Plus”, Osmani deklaroi se problemi kryesor qëndron te mënyra se si pushteti e kupton shtetin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
“Ka tendencë që çdo gjë të kontrollohet, një tendencë që gjithçka të shihet si pronë e tyre. Një mendim sado pak ndryshe duhet patjetër të kapet, të kontrollohet dhe të eliminohet. Ky nuk është shteti që ne dëshirojmë ta shtyjmë para. Nuk është shteti që kanë paraparë themeluesit e vendit tonë dhe nuk është shteti që ka paraparë Kushtetuta jonë”, tha Osmani.
Ajo vlerësoi se në Kosovë ekziston një krizë e thellë në kuptimin e shtetit nga ana e pushtetit.
“Mendoj që është një krizë shumë e thellë e asaj se si kuptohet shteti nga pushteti aktual. Është një keqkuptim fundamental i asaj se si duhet të funksionojë Republika e Kosovës. Mendoj që e kanë të drejtën pronësore rreth asaj se si duhet interpretuar Kushtetuta dhe koncepti i shtetit”, u shpreh ajo.
Osmani tha se përplasjet me pushtetin nuk lidhen me emra të përveçëm, por me insistimin e saj për të mbrojtur pavarësinë institucionale dhe parimet demokratike.
“Sikur unë të nënshtrohesha, sikur të mos kisha mendimet dhe qëndrimet e mia, emri nuk do të ishte problem. Krejt esenca ka qenë që kreu i shtetit të shndërrohet në një institucion pa ndikim, në një copë letër që nuk kryen kompetencat fundamentale të parapara me Kushtetutë”, deklaroi Osmani.
Sipas saj, demokracia dhe balanca ndërmjet institucioneve janë elemente thelbësore për forcimin e shtetit, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.















