Biznesmeni i MABCO, Behgjet Pacolli ka ngritur alarmin për atë që e cilëson një proces vandalizimi dhe grabitjeje të aseteve në Aeroportin e Vlorës, duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur dëmtimin e një investimi që është ndërtuar me qindra milionë euro dhe me vite punë.
Në një postim në rrjetet sociale Pacolli pretendon se prej muajsh tashmë kompania e tij nuk po lejohet të hyjë në ambjentet e aeroportit që ka ndërtuar, ndërsa persona të paautorizuar hyjnë dhe dalin në terminal, marrin materiale, dëmtojnë inventarin dhe tentojnë të përvetësojnë pasuri që nuk u përkasin.
“Persona të paautorizuar hyjnë e dalin nga terminali, marrin materiale, dëmtojnë inventarin, vandalizojnë ambientet dhe, sipas informacioneve që marrim, madje tentojnë të disponojnë pasuri që nuk u përkasin e deri te shitja e aseteve, pa prezencën tonë”, shkruan Pacolli.
Ai thotë se dëshmitë që ka parë për hyrjet dhe daljet e personave të paautorizuar në aeroport e kanë tronditur, pasi bëhet fjalë për një vepër që sipas tij është ndërtuar me mundin e qindra punonjësve dhe me një investim kolosal.
Pacolli akuzon se grupet që kanë marrë kontrollin e ambienteve po veprojnë nën mbrojtjen e interesave të errëta dhe kërkon hetim të menjëhershëm të gjithë personave të përfshirë.
“Apeloj që të hetohen me seriozitet të gjitha veprimet e grupeve që kanë krijuar këtë situatë. Kjo nuk është më një çështje private apo një konflikt biznesi. Kjo është një çështje e respektimit të ligjit, e zbatimit të vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe e mbrojtjes së një investimi strategjik për Shqipërinë”, deklaron ai.
Në postimin e tij, biznesmeni kërkon ndërhyrje të menjëhershme të shtetit për të ndalur, sipas tij, shkatërrimin gradual të aeroportit, duke publikuar disa foto që tregojnë ambjentet e brendshme të terminalit.











