Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me projektin e transportit publik në kryeqytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar Muratin si “bllokues”, duke e akuzuar se po pengon projektet e Komunës së Prishtinës në vend që të kontribuojë në realizimin e tyre.
“U lajmëru bllokuesi! Me punu s’po ja u don. Po për me blloku, çoheni edhe natën”, ka shkruar Rama.
Reagimi i tij vjen pasi Murati deklaroi se Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat e parapara me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat në lidhje me ofrimin e shërbimeve të transportit publik përmes operatorëve privatë.
Sipas Muratit, çdo marrëveshje apo kontratë e nënshkruar pa respektimin e këtyre procedurave është në kundërshtim me ligjin dhe organet kompetente duhet të veprojnë për të parandaluar, siç tha ai, keqpërdorimin e parasë publike.













