Veriu.info javën e kaluar kishte raportuar se si grupi i operatorëve ekonomik “LimitProject” Sh.P.K., “AR Construction23” Sh.P.K. kishin fituar tenderin me titull “Ndërtimi i parkut dhe shtigjeve për këmbësor, biçiklist në parkun e Kamenicës Drenas” në vlerë prej 640 mijë euro.
Por që kjo shumë nuk iu kishte mjaftuar, pasi që komuna e Drenasit këtë grup të operatorëve e kishte shpërblyer edhe me dy aneks kontrata në vlerë prej 58 mijë euro.
Siç kemi raportuar, kompania bartëse e këtij tenderi është “LimitProject” Sh.P.K. me pronarë Lulzim Zaraj dhe Faton Ramadani, ky i fund mik i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Përveç këtij tenderi në vlerë prej 700 mijë euro, duket se Fatoni Ramadani do të përfitoj prapë nga buxheti i komunës së Drenasit që mbushet nga taksat e qytetarëve.
Veriu.info ka siguruar listën e përfituesve (KËTU) të subvencioneve përmes Thirrjes Publike nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për vitin 2025, ku klubi i Faton Ramadani është në mesin e përfituesve.
Te kapitulli tre i këtij dokumenti është lista e përfituesve për projektet sportive, ku si për ironi, emri i i klubit që përfaqësues të aurotizuar ka Faton Ramadanin është i fundit në këtë listë.
Siç shihet në dokument, Klubi i Boksit “Drenasi” me përfaqësues të autorizuar Faton Ramadanin, ka përfituar 3 mijë euro në emër të projektit “Masovizimi i Sportit të Boksit”.
Nga të dhënat që kemi gjetur në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare në Republikën e Kosovës, përfaqësues i OJQ Klubi i Boksit “Drenasi” nuk është Faton Ramadani, por është Granit Qorri.
Madje, emri i Faton Ramadanit nuk figuron as në mesin e personave themelues të kësaj OJQ-je (klubi), pasi që aty shkruan se themelues janë Shefki Bala, Murat Kuka dhe Gani Halilaj./Veriu.info