Pas zotimit të dhënë nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, se në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal do t’i propozoj Kuvendit që të ndalet procedimi i mëtejmë i dhënies në shfrytëzim afatgjatë i pronave të propozuar nga Komisioni i Kuvendit Komunal në Stanoc të Poshtëm dhe afër Urës së Gurit në qytet, ka reaguar dega e PDK-së në Vushtrri duke i dhënë mbështetje kryetarit Idrizi.
PDK e Vushtrrisë thotë se do të mbetet në plotni krah kryetarit Ferit Idrizi dhe kërkesave të qytetarëve të Vushtrrisë.
Ndryshe, sot kryetari Ferit Idrizi ka pritur në takim përfaqësuesit bizneseve që operojnë në pronën publike afër Urës së Gurit dhe përfaqësuesit e Këshillit të Fshatit Stanoc i Poshtëm, të cilët kërkuan të ndalohet procesi i dhënies në shfrytëzim afatgjatë i këtyre pronave publike, kërkesë të cilën ai e mbështeti.
Komunikata e PDK-së:
Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Vushtrri, njofton qytetarët e Vushtrrisë se mbështet kërkesën e kryetarit të Komunë z. Ferit Idrizi për mosprocedim të mëtejmë të dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronave komunale, pas kërkesë së qytetarëve dhe bizneseve.
PDK ka qenë dhe do të mbetet në plotni krah kryetarit Ferit Idrizi dhe kërkesave të qytetarëve të Vushtrrisë.
Kemi dëshmuar se, si parti jemi çdo herë krah interesave të qytetarëve.
Postimi i Ferit Idrizi:
MBËSHTESIM KËRKESAT E QYTETARËVE DHE BIZNESEVE
Sot prita në takim Këshillin e Fshatit Stanoc i Poshtëm dhe përfaqësuesit e bizneseve që shfrytëzojnë pronat publike në Vushtrri.
Këshilli i Fshatit Stanoc i Poshtëm paraqiti kërkesën për ndalimin e dhënies në shfrytëzim të parcelave publike në këtë lokalitet, duke argumentuar se kanë në plan realizimin e projekteve me interes publik, të mbështetura nga donatorë të jashtëm.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve që aktualisht operojnë pranë Urës së Gurit kërkuan të mos procedohet me dhënien në shfrytëzim të kësaj parcele, deri sa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për aktivitetet e tyre.
Palëve ju premtova se do t’i mbështes kërkesat e tyre, dhe në seancën e radhës (që do të mbahet të enjten, datë 26.12.2024), do t’i propozoj Kuvendit që të ndalet procedimi i mëtejmë i dhënies në shfrytëzim afatgjatë i të gjitha pronave të propozuar nga Komisioni i Kuvendit Komunal.