Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka komentuar deklaratat e sotme të liderit të VV-së, Albin Kurti, në lidhje me formimin e institucioneve të reja.
Ai ka bërë me dije se deklarata e sotme e Kurtit është paralajmërim se do të vazhdojë talljen me partitë tjera.
Në profilin e tij në Facebook, Berisha ka shkruar se PDK, LDK dhe AAK duhet të zotohen se do ta respektojnë votën e sovranit duke qëndruar në opozitë.
“Pas certifikimit të rezultateve, Albini paska paralajmëruar se do të vazhdojë talljen me partitë opozitare! Tallje e vjetër në rrethana të reja! A thua certifikimi i rezultateve mund t’i ndryshojë përqindjet apo…? PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet të zotohen se do ta respektojnë votën e sovranit duke qëndruar në opozitë. Në të kundërtën, do të bëhen objekt talljeje i një miopi politik, për të cilin tashmë po bëhet e qartë se vendin synon ta çojë në zgjedhje të reja në vjeshtë. Nëse opozita pranon të bëhet pjesë e kësaj loje politike, atëherë do të marrë edhe përgjegjësinë për pasojat që ajo sjell për shtetin dhe qytetarët”, ka shkruar ai.













