Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj ka ngelur jashtë listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Jeton Raka po shihet si “bllokues”, për të cilin thuhet se ia pamundësoi Salijajt që të marrë pjesë në listë.
Salijaj është pyetur ‘Facebook’ nga një qytetar nëse është e vërtetë që Raka e ka dërguar atë në komision disiplinor. Ai ka konfirmuar një gjë të tillë dhe s’ka pasë fjalë fort të mira për kandidatin aktual për deputet të LVV’së.
“Fatkeqësisht që po, Jetoni një humbës ky serik i të gjitha zgjedhjeve të deritashme, një përjashtues dhe përqarës i madhë i LVV- ës, në Kaçanik, na ka dërgue në Komision diciplinorë me gjasë për ti arsyetuar humbjet e tij të njëpasnjëshme, e pa asnjë dyshim që nuk do të fitojë asgjë nga kjo punë, përveq se do të turpërohet. Absurditet i llojit të vet“, ka shkruar Salijaj.

Salijaj është kontaktuar nga Gazeta Insajderi për ta pyetur lidhur me pakënaqësitë ndaj Rakës, por i njëjti ka thënë se ka një rast në familje dhe e ka të pamundur të flasë.
Kush është Jeton Raka, i cili “shetiti” nëpër pozita?
Fillimisht ishte dy herë kandidat për kryetar të Komunës së Kaçanikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pasi dështoi ta fitonte Kaçanikun, Jeton Raka ishte emëruar drejtor i Prokurimit nga komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu i VV-së. Në shtator të vitit 2024 , Raka figuronte këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. pastaj, ai u emërua si numri dy i kësaj qeverisje nga kryeministri në ikje Albin Kurti.
Raka aktualisht është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik. Ai ishte kandidat për kryetar nga radhët e VV-së në këtë komunë, ku kishte dështuar të zgjidhet për të parin e Kaçanikut në zgjedhjet lokale të 2021-ës.
Raka u bë numri dy i Infrastrukturës në janar të vitit që shkoi, me vendim të Kurtit.
Opozita e Shtimes shprehu indinjatë që Aliu përzgjodhi një person nga një komunë tjetër për të udhëhequr këtë drejtori. PDK-ja në Shtime përmes një reagimi ka thënë se Shtimja “ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune”.
Raka është parë pranë ministrit Aliu nëpër aktivitete të ndryshme gjatë kohës së shkurtër sa shërbeu si këshilltar, përpara se të shpërblehej si zëvendësministër.
Ai pozonte përskaj kryetarit të Komunës së Leposaviqit nga radhët e VV-së, Lulzim Hetemin, dhe ministrit Aliu përgjatë njoftimit për funksionalizimin e shërbimeve kadastrale në katër komunat veriore të Kosovës.

Raka për një periudhë të shkurtër kapërceu dy pozita të rëndësishme të pushtetit, për ta marrë të treten, si numri dy i Infrastrukturës.














