Të gjithë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që aktualisht ndodhen në Hagë në paraburgim, do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhje më 9 shkurt.
Tashmë, të gjitha masat janë marrë që kjo e drejtë e Thaçit dhe të tjerëve, të realizohet.
Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar në një përgjigje për Nacionalen, se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat që ata të votojnë.
“Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt të vazhdueshëm me Dhomat e Specializuara që votimi të realizohet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se votimi do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së”, tha Elezi për Nacionalen.
Aktualisht në Hagë janë duke u mbajtur: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari, Isni Kilaj, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Pjetër Shala, Salih Mustafa dhe Haxhi Shala.
Pra, 12 ish-pjesëtarë të UÇK-së do ta shfrytëzojnë të drejtën e votes në zgjedhjet e 9 shkurtit.
KQZ-ja kishte bërë të ditur se mbi 90 mijë votues janë regjistruar nga diaspora, të cilët do të votojnë me poshtë.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, kishte bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Përderisa për disa prej të akuzuarve kjo do të jetë hera e parë që votojnë në zgjedhjet në Kosovë, për Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin dhe Salih Mustafën, do të jetë hera e dytë.
Kjo pasi ata kanë shfrytëzuar këtë të drejtë edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.