Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rënies së Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave të organizatës Reporterët pa Kufij, e cila u rendit në vendin më të ulët pas 15 vjetësh.
Në një komunikatë për media, LDK thekson se ky regres është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti.
“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura.”, thuhet në komunikatë.
KOMUNIKATA:
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për rënien drastike të lirisë së medias në vendin tonë, siç është evidentuar në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025 të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF). Kosova ka rënë me 24 vende, duke u renditur në pozitën e 99-të nga 180 vende të vlerësuara, më së keqi në gjithë rajonin, një tregues alarmant i përkeqësimit të mjedisit mediatik në vend.
Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura.
Për më tepër, gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave. Kjo klimë e pasigurisë dhe frikësimit ka krijuar një ambient ku vetëcensura po bëhet normë, duke rrezikuar seriozisht të drejtën e qytetarëve për informim të lirë dhe të paanshëm.
LDK e konsideron lirinë e medias si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë. Linçimet e medieve nga Vetëvendosje dhe eksponent të saj si dhe praktikat e ndërhyrjes në pavarësinë e medieve duhet të ndalen e ndalohen menjëherë. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e lirë të medieve.
LDK angazhohet për një Kosovë ku media e lirë dhe e pavarur është e garantuar dhe e mbrojtur si dhe do të vazhdojë të punojë për rikthimin e standardeve demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut në vendin tonë.