Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, më 9 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përfunduar numërimi i fletëvotimeve të fundit nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Sipas rezultateve të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 33,556 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 4,611 vota, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 4,259 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 1,801 vota.
Me mbylljen e numërimit të këtyre fletëvotimeve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar,” ka deklaruar Elezi.











