Arton Demhasaj ka vlerësuar se qëndrimi i LDK ndaj një koalicioni me VV’në është kontradiktor, duke kujtuar se para zgjedhjeve LDK-ja kishte refuzuar një ofertë nga VV-ja për bashkëqeverisje.
Sipas tij, nëse LDK-ja tani është e gatshme për koalicion, atëherë një marrëveshje e tillë do të mund të ishte arritur më herët, duke shmangur shpenzimet e zgjedhjeve të reja.
“Mendoj se është problematike për faktin se LDK-ja kishte një ofertë nga VV’ja, kur kjo e fundit ia ofroi pozitën e kryetarit të Kuvendit, pozitën e zv.kryeministrit dhe katër ministri të tjera, por LDK-ja nuk e pranoi këtë ofertë dhe vendi shkojë në zgjedhje. Tash, pas zgjedhjeve të qershorit, LDK deklarohet se është pro koalicionit, atëherë pse nuk e bënë koalicionin para zgjedhjeve që t’ia kursenin Kosovës 10 milion euro. Më duket pak absurde kjo qasje e LDK-së, sidomos nëse shohim ditëve të fundit edhe këto deklaratat skandaloze të njerëzve të VV’së drejt Përparim Ramës”, thotë Demhasaj.
Demhasaj tha gjithashtu se brenda LDK-së mund të ketë figura që e mbështesin një koalicion me VV-në, ndërsa vlerësoi se Përparim Rama është kundër një bashkëpunimi të tillë.
Ai shtoi se përplasjet e fundit politike mes Ramës dhe eksponentëve të VV-së mund të lidhen me përpjekjet për të penguar një marrëveshje eventuale mes dy partive.
“Mendimi im personal është se me gjasë ka disa indicie që disa njerëz të caktuar të LDK-së e dëshirojnë koalicionin me VV’në, në anën tjetër mendoj se Përparim Rama është kategorikisht kundër një koalicioni të tillë me VV’në”.
“Ndoshta edhe kjo ‘kacafytja’ politke mes Përparim Ramës dhe njerëzve të VV’së është me qëllim që të pengohet një koalicion i tillë, por Përparim Rama mund të ketë edhe ambicie ta marrë lidershipin e LDK-së, kjo është normale dhe demokratike, por më shumë i qëndroj faktin se ai nuk e dëshiron një koalicion me VV’në dhe jam i bindur që ai do të bëjë gjithçka që ta pengojë një koalicion të tillë”, tha ai për GazetaBlic.













