Një situatë tensioni mes dy qytetarëve është raportuar në komunën e Leposaviqit, ku një fjalosje në trafik ka përfunduar me ndërhyrje të Policisë dhe dyshime për ngacmim.
Sinjali mëson se më 21 maj 2025, rreth orës 16:00, një qytetar nga Fushë Kosova, B. F., 32 vjeçar, është paraqitur në nënstacionin policor në Leshak, ku ka raportuar se ishte përballur me një ngatërresë në trafik në fshatin Kajkovë.
Sipas deklaratës së tij, gjatë kthimit nga kufiri Serbi–Kosovë, kishte lejuar një veturë tjetër të kalojë kolonën për të hyrë në kufi, gjë që kishte shkaktuar reagim të ashpër verbal nga një tjetër shofer – T. B., 56 vjeçar, i cili më pas i kishte bllokuar rrugën me një veturë të tipit Alfa Romeo.
Ankuesi ka pohuar se nuk është përdorur dhunë fizike, por ka dyshuar se i dyshuari mbante me vete një shufër prej metali apo druri, ndonëse nuk ishte i sigurt. Ai është larguar dhe ka raportuar rastin menjëherë në polici.
Njësia patrulluese dhe hetuesit e Stacionit Policor të Leposaviqit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë identifikuar dhe shoqëruar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të organeve të rendit. Pas kontrollit të veturës dhe zonës përreth, nuk është gjetur asnjë mjet i dyshimtë.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, është vendosur që rasti të cilësohet si “Ngacmim”, ndërsa të dyja palët janë liruar në procedurë të rregullt.