Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion në orët e para të mëngjesit në objektin ku ndodhen disa agjenci shtetërore në Prishtinë, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Gazeta Insajderi merr vesh që bastisja ndërlidhet me rastin e arrestimit të avokatit Venhar Hana dhe biznesmenit Dritmir Islami.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar se bastisjet janë duke u realizuar jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komunat e Ferizajt dhe Shtimes.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime,” ka deklaruar Kelani.
Ai ka bërë të ditur se bastisjet lidhen me dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas tij, pas përfundimit të operacionit dhe në koordinim me organet e drejtësisë, pritet të jepen informacione shtesë për rastin.
“Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani.