Aktori veteran Enver Petrovci nxiti reagime të ashpra vitin e kaluar kur në përpjekje për të lartësuar figurën e Albin Kurtit, fyeu rëndë figurat e luftës çlirimtare të Kosovës. Një vit pas, të mërkurën, shkolla private e bashkëshortes së tij ka marrë një shumë financiare nga qeveria e Kurtit, nën arsyetimin për pjesëmarrje në një festival ndërkombëtar në Vjenë të Austrisë.
Hiç më larg se një vit më parë, aktori i pensionuar, Enver Petrovci në përpjekje për t’i thurur lavde Albin Kurtit kishte përdorur gjuhë përçmuese dhe tallëse ndaj ish-udhëheqësve të luftës çlirimtare në Kosovë.
Petrovci teksa kishte krahasuar Kurtin me ish-udhëheqësit e UÇK-së, kishte thënë se “Kurti është shumë i meçëm dhe se ma shumë ka lexu ky libra sesa krejt parlamenti bashkë”.
Për ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare kishte thënë se koha dhe lufta i ka krijuar. Kishte bërë edhe parashikim se po të mos kishte qenë lufta, ata do të ishin mësues e truprojë. Krejt këto lavde që ia ka thurur Kurtit i janë kthyer financiarisht një vit pas, ani pse jo direkt atij.
Paparaci të mërkurën ka raportuar se një shumë financiare nga buxheti i shtetit do t’i kalojë shkollës private të muzikës “Amadeus”, e cila është nën pronësi të Valbona Petrovcit, bashkëshortes së aktorit veteran dhe ish-asamblistes së VV-së.
Orkestra e kësaj shkolle pritet të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar në Vjenë të Austrisë në verën e këtij viti.
Qeveria në detyrë të mërkurën ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në mbështetje të orkestrës. Mirëpo në vendim nuk është zbuluar shuma e mjeteve që do t’i ndahen shkollës në pronësi të Valbona Petrovcit.
“Me këtë mbështetje ndaj orkestrës së vetme të fëmijëve, që është vazhdimisht aktive dhe me program të gjerë, do të arrijmë që nëpërmjet këtij përfaqësimi në Vjenë të Austrisë – në mesin e pjesëmarrësve nga shumë vende të botës – të promovohet vendi dhe kultura jonë nëpërmjet brezave të rinj”, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kurti tha se mbështetja do të bëhet ndërmjet Fondit të Programit dedikuar për Promovimin e Vendit, i cili funksionin brenda Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkaq, një vit më parë, në një intervistë të pazakontë televizive me Adelina Ismajlin në marsin e vitit të kaluar, aktori Petrovci e glorifikoi figurën e Kurtit, teksa përçmoi politikanët me të kaluar në luftë.
Për politikanët me të kaluar në luftë, Petrovci tha se ka vlerësim të ndryshëm. Tha se ata “mund të kenë qenë mësues apo badigarda” nëse nuk do të ishin formuar dhe fituar pushtet në luftë.
“Këta tjertë i ka lind koha. Lufta i ka ba këta. Këta kurgjo s’kishin qenë, po mos të kishin qenë në luftë. Kishin qenë do mësuesa, do badigarda. Kurgjo s’kishin qenë hiç. Kishin kalu afër nesh… në televizion s’kishin mujt me hi. Këta i ka bë koha. Albini u bë vetë”, tha Petrovci.