Është raportuar për një vendim të Qeverisë në detyrë, e cila ka vendosur një tjetër masë që po godet drejtpërdrejt sektorin privat: bizneset nuk mund të regjistrojnë veturat e tyre nëse në sistem figurojnë me gjoba të papaguara në trafik – pavarësisht shumës, rrethanës apo faktit nëse ato janë kontestuese apo në proces apelimi.
Derisa, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka njoftuar se përfaqësuesit e saj janë takuar me zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, për të diskutuar mbi problemet që kanë hasur bizneset lidhur me regjistrimin e automjeteve.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Agjencia e Regjistrimit Civil ka vendosur pezullimin e përkohshëm të zbatimit të nenit 89, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili kushtëzonte regjistrimin e automjeteve me pagesën e të gjitha gjobave të papaguara.
“Në këtë takim është diskutuar rreth problemeve me të cilat po përballen bizneset, veçanërisht ato që operojnë me vetura me qira, lizing, taksi dhe transport. Këtyre u ishte pamundësuar regjistrimi i automjeteve për shkak të gjobave të papaguara”, thuhet në njoftim.
Aida Selimi–Shabani, anëtare e Bordit të DhTIK-së, ka shprehur shqetësimin për dëmin e shkaktuar bizneseve nga kjo dispozitë, duke theksuar se pagesa e detyrueshme e të gjitha gjobave në mënyrë të menjëhershme i ka vendosur bizneset në vështirësi financiare dhe u ka pamundësuar të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.
DhTIK ka kërkuar zgjidhje të qëndrueshme dhe rishikim të dispozitës në fjalë në mënyrë që të sigurohet funksionimi normal i bizneseve dhe të shmanget çdo ndikim negativ në aktivitetet e tyre.