Policia e Kosovës ka rritur ndjeshëm përpjekjet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në kuadër të luftës kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP–ILECU), janë realizuar mijëra shkëmbime të të dhënave me agjenci ndërkombëtare të sigurisë.
Sipas një njoftimi zyrtar, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë shkëmbyer gjithsej 10,835 informacione ndërkombëtare përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, përfshirë INTERPOL-in, EUROPOL-in, ndërlidhësit policorë, ambasadat dhe partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë.
Ky shkëmbim informacioni ka ndihmuar në koordinimin efektiv të operacioneve dhe hetimeve, ndërsa rezultatet janë konkrete: 13 persona të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra të rënda penale janë arrestuar nëpërmjet bashkëpunimit me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in.
Gjithashtu, janë realizuar 39 ekstradime – prej tyre 15 persona janë ekstraduar nga Kosova në shtete të tjera, ndërsa 24 të tjerë janë ekstraduar drejt Kosovës nga shtetet partnere.
“Policia e Kosovës konsideron se këto rezultate janë dëshmi e qartë e angazhimit të saj në zbatimin e ligjit dhe kontributit për sigurinë globale. Po ashtu, bashkëpunimi me organizata si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i forcon më tej integrimin e Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të sigurisë, duke e pozicionuar atë si një partner të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë.