Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, gjatë një aksioni të zhvilluar sot në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Përveç drogës, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme. Sipas Sveçlës, gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’iu shmangur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar atë.
Ministri ka bërë të ditur se njëra nga veturat e përfshira në rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Për këtë arsye, në hetimin e rastit është angazhuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të sqarojë rrethanat dhe përgjegjësinë eventuale të zyrtarit të dyshuar.
Sveçla ka deklaruar se nuk do të tolerohet asnjë individ apo zyrtar që shkel ligjin ose përfshihet në veprimtari kriminale, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për të luftuar narkotikët dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës.














