Albulena Haxhiu, ministrja në detyrë e Drejtësisë, e ka quajtur të papranueshme pranimin e dokumenteve të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë nga Gjykata Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK’së.
Haxhiu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se institucionet serbe në fjalë janë përgjegjës për dhunë, krime lufte, gjenocid e spastrim etnik, shkruan Insajderi.
“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, ka deklaruar ajo.
“Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë”, vijon shkrimi i saj.
“Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin“.