Një telefonatë mund të kishte ndryshuar totalisht të tashmen dhe të ardhmen e Realit yë Madridit, por një fjalë e dhënë me autoritet ishte një motiv i mjaftueshëm që kjo të mos ndodhte. Bëhet fjalë për kontaktet mes drejtueseve të Los Blancos dhe Zinedine Zidane në muajin dhjetor.
Në atë kohë, për Xabi Alonson ishte marrë një vendim dhe largimi i tij nga pankina e skuadrës merenges ishte vetëm çështje ditësh, por nuk u gjet pasuesi ideal dhe kështu që trajneri spanjoll qëndroi në skuadër deri në përfundim të Superkupës së Spanjës dhe në fund klubi ia besoi drejtimin skuadrës Alvaro Arbeloas
Zinedine Zidane, sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle AS, kishte mundësinë të shkruante kapitullin e tretë në pankinën e Realit të Madridit, por fjala e dhënë me përfaqësuesen franceze pengoi çdo lëvizje të tij për rikthimin në kryeqytetin spanjoll për të punuar sërish ditë pas dite në Valdebebas. Lidhja e Zidane me Realin e Madridit është jashtë çdo dyshimi, por lëvizja e klubit merenges për t’iu drejtuar atij u bë shumë vonë
Zinedine Zidane u largua nga Reali i Madridit në 2021, nuk ishte një lamtumirë shumë e bukur, por me kohën gjërat shkuan në vendin e tyre. Pas normalizimit të raporteve, Zidane ka vizituar shpesh Bernabeun në ndeshje të rëndësishëm, por duke qëndruar në tribuna private bashkë me familjen. Që nga aty mbështeste skuadrën e tij të zemrës të cilën e kishte në dorë për ta drejtuar për të tretën herë. Por fjala e dhënë ka më shumë vlerë për atë që dikur ka qenë futbollist dhe trajner i skuadrës së parë të Realit të Madridit
Historia thotë se Zidane e drejtoi Realin e Madridit duke nisur nga skuadra B për të kaluar më pas tek skuadra e parë. Pas largimit të tij në 2021, ofertat për të u shtuan por ai e kishte të qartë se nëse do të kthehej në stol, do të ndodhte për Francën ose Realin e Madridit. Historiku i tij si trajner tregon gjithçka; Zidane e mbylli me Los Blancos me 11 tituj të fituar në total, mes të cilëve spikasin 3 Champions League radhazi dhe 2 tituj në La Liga. Tani, ai ka detyrën të zëvendësojë Didier Deschamps, një trajner që ka qenë në gjendje të jetë kampion dhe nënkampion bote me Blutë, në pritje të asaj që do të ndodhë në Amerikën e Veriut këtë verë.












