Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nisur dërgimin e ftesave për takim me liderët e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale që ka bllokuar funksionimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetja boshnjake Duda Balje ka konfirmuar se ka marrë një ftesë për takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Sapo mora një telefonatë nga presidentja për takim, për pasnesër,” ka deklaruar Balje për media, transmeton IndeksOnline.
Presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të respektojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit prej 30 ditësh, ashtu siç e ka përcaktuar vendimi i Gjykatës.
Takimi i paralajmëruar me liderët e partive politike pritet të mbahet me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike që ka bllokuar funksionimin e Kuvendit dhe ka lënë vendin me një qeveri me mandat të skaduar. Ftesa e presidentes vjen në një moment kritik, kur presioni publik për zgjidhje institucionale është në rritje.