Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar në Prishtinë, ku një grua dyshohet se është paraqitur rrejshëm si prokurore e shtetit dhe ka përfituar mbi 30 mijë euro nga një qytetare.
Sipas informatave, rasti është raportuar më 23 dhjetor 2025 në NJHP–Prishtinë, ku viktima ka deklaruar se gjatë muajit dhjetor ka rënë pre e mashtrimit nga e dyshuara O.G. E njëjta dyshohet se ishte prezantuar si prokurore e shtetit dhe, duke shfrytëzuar këtë paraqitje të rreme, e kishte vënë viktimën në lajthitje.
Hetimet kanë zbuluar se e dyshuara, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, i kishte premtuar viktimës se do t’i “zgjidhte” një çështje që gjoja lidhej me ankesa në rrjete sociale, ndonëse ankesa të tilla nuk ishin raportuar asnjëherë në Polici. Nën këtë pretendim, ajo kishte kërkuar dhe marrë shuma të mëdha parash, duke pohuar se ato do t’u ndaheshin zyrtarëve të tjerë.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe planifikimit taktik nga NJHP–Prishtinë, më 25 dhjetor 2025, e dyshuara është arrestuar në flagrancë. Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.












