Shefi i Prokurimit të Komunës së Prishtinës, Visar Shehu dhe bashkëshortja e tij, e punësuar në një institucion të drejtësisë, rezultojnë me pasuri të konsiderueshme të deklaruar për vitin 2025. Ajo që bie në sy është fakti se, ndonëse prindërit i kishin dhuruar vajzës banesa, lokale afariste dhe metale të çmuara në vlera të mëdha, më pas ajo vetë ua kishte dhënë para borxh njërit prej tyre me një shumë prej 20 mijë eurosh. Vjet ia kanë kthyer borxhin.
Sipas deklarimit të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, bashkëshortja e Shehut ka përfituar nga prindërit një banesë 102.15 m² në vlerë 133 mijë euro dhe një lokal afarist 72.4 m² në vlerë 253 mijë euro, që të dyja të dhuruara në vitin 2015. Totali i pasurisë së dhuruar shkon mbi 386,000 euro.
Përveç këtyre, ajo ka deklaruar edhe 30 mijë euro në metale të çmuara si dhuratë nga familjarët dhe miqtë për fejesë dhe martesë në vitin 2017.
Në formular ka shkuar se, në vitin 2022, e njëjta ka deklaruar se i ka dhënë hua njërit prej prindërve shumën prej 20 mijë euro, që më pas ia ka kthyer në llogari bankare. Origjina e këtyre mjeteve sipas deklarimit është nga shitja e një veture personale.
Shefi i tenderëve dhe bashkëshortja e tij gjithashtu zotërojnë një banesë të blerë në vitin 2023 me kredi në vlerë 60 mijë euro, ku aktualisht figuron borxh i mbetur mbi 64 mijë euro më kamatë. Në vitin 2019, bashkëshortët kanë marrë kredi edhe për blerjen e veturës, me shumë fillestare 30 mijë euro dhe borxh të mbetur rreth 11 mijë euro. Të dy kanë edhe karta krediti dhe overdraft të hapur me shuma që arrijnë deri në 1,000 euro.
Të hyrat e deklaruara vjetore përfshijnë pagën mujore prej 936 euro të zyrtarit nga Komuna e Prishtinës dhe 828 euro nga bashkëshortja në pozitën e saj në Akademinë e Drejtësisë.
Sipas deklarimit, ajo gjithashtu përfiton 650 euro në muaj nga qiraja e lokalit të dhuruar, përmes një kontrate dyvjeçare të lidhur në vitin 2023.
Në total, pasuria e familjes ndërtohet përmes një kombinimi të dhuratave luksoze nga familja e ngushtë, kredive bankare dhe huave të brendshme që qarkullojnë brenda familjes.
Pra, forma dhe shuma e pasurive të përfituara, si dhe origjina e mjeteve të disponueshme për huadhënie ndaj dhuruesve, mbeten aspekt që bien në sy në raport me të ardhurat e deklaruara.
Në përputhje me ligjin, deklarimi i pasurisë mbetet një akt formal i transparencës. Megjithatë, balancimi mes të hyrave të rregullta dhe pasurive të akumuluara, përfshirë mënyrat e përfitimit të tyre, paraqet rëndësi të posaçme për institucionet që kanë mandat ligjor për të hetuar përputhshmërinë dhe burimin real të tyre.
Visar Shehu, djali i kryetarit të Junikut Ruzhdi Shehu, është caktuar si ushtrues detyre i shefit të Prokurimit në Komunën e Prishtinës në vitin shkurt 2023. Kjo Komunë udhëhiqet nga Përparim Rama dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti nga e cila vjen edhe vetë kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu.
Paraprakisht, Visar Shehu ka qenë hetues i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)./Demokracia.com/