U lansua pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës, projekt ky i cili synon të thjeshtojë procedurat administrative për regjistrimin e lindjeve dhe të ofrojë një qasje më të lehtë në shërbimet publike për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me këtë projekt prindërit më nuk kanë nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme të lindjes së fëmijëve.
Sipas tij, të gjitha të dhënat e nevojshme të administrimit të fëmijës, për benefitet që ju takojnë, për sistemin shndetësor e për vaksinimin mblidhen që në spital në momentin e lindjes dhe shpërndahen automatikisht tek isntitucionet përkatëse.
“Për ta lansuar një nismë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë, në mënyrë të veçantë të familjeve të reja. Po hapim një kapitull të ri se në mënyrën se si shteti ofron shërbime publike, më të afërta me qytetarët, më të koordinuara, me dixhitale dhe më të thjeshta. Kjo iniciativë është ndërtuar nga këndvështrimi i qytetarit. Ajo ka për qëllim që një prej ngjarjeve më të rëndësishme në jetë, lindja e një fëmije të shoqërohet me lehtësim e jo me barrë. Me zgjidhjen që po pilotojmë sot prindërit më nuk kanë nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme të administrimit të fëmijës, për benefitet që ju takojnë, për sistemin shëndetësor e për vaksinimin mblidhen që në spital në momentin e lindjes dhe shpërndahen automatikisht tek institucionet përkatëse”, tha kryeministri Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky projekt përfaqëson një model të suksesshëm të inovacionit të nxitur nga nevoja reale e qytetarëve dhe përfshirja e tyre në dizajnimin e shërbimeve.
“Kjo platformë softuerike do të mundësojë ofrimin e shërbimeve proaktive për prindërit e rinj, duke dërguar në mënyrë elektronike të dhënat e mbledhura në spitale tek të gjitha institucionet përkatëse duke shmangur nevojën që prindërit t’i vizitojnë këto institucione për të aplikuar për këto shërbime. Mundëson dixhitalizimin dhe ofrimin proaktiv të shërbimeve thelbësore për nënën dhe fëmijën, si regjistrimi civil, regjistrimi në sistem shëndetësor, aplikimi dhe përfitimi për vaksinat”, tha ministri Vitia.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se duke integruar institucionet kyçe dhe duke ofruar shërbime digjitale të personalizuara, kjo nismë vendos një standard të ri të qeverisjes moderne të orientuar drejt qytetarëve.
“Ky projekt u mundëson personelit shëndetësor të regjistrojë automatikisht të porsalindurit dhe të përpunojë aplikimet për përfitimet e lehonisë dhe fëmijëve si dhe për vaksinat. Në të njëjtën kohë, sot po prezantojmë edhe faqen e parë joformale në e-Kosova, e cila mbulon katër fazat e ngjarjes jetësore të lindjes: para-shtatzëninë, shtatzëninë, lindjen dhe kujdesin për fëmijën. Qytetarët me një llogari në e-Kosova do të kenë qasje në informacion të personalizuar, të përshtatur sipas nevojave të tyre. Duke integruar institucionet kyçe dhe duke ofruar shërbime digjitale të personalizuara, kjo nismë vendos një standard të ri për qeverisjen moderne të orientuar drejt qytetarëve”, ka thënë ambasadori Orav.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se reduktimi i burokracisë është një shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë në të gjitha shoqëritë.
“Lansimi i sistemit të regjistrimit të fëmijëve si një ngjarje jetësore përfaqëson një hap kyç përpara në thjeshtimin e shërbimeve publike. Po ashtu, me lansimin e faqes së informacionit në e-Kosova, e dedikuar për këtë ngjarje jetësore, informacioni i rëndësishëm për familjet e reja bëhet shumë më i aksesueshëm”, tha ambasadori Rohde.
“Reduktimi i burokracisë është një shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë në të gjitha shoqëritë tona. Shpeshherë, qytetarët përballen me pengesa të panevojshme që vështirësojnë qasjen në shërbimet thelbësore. Zgjidhjet digjitale, proceset e thjeshtuara dhe minimizimi i dokumenteve jo vetëm që e bëjnë jetën më të lehtë për qytetarët, por gjithashtu ndihmojnë në forcimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve publike”, shtoi ambasadori Rohde./EO/