Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kur Evropa zhvendos vëmendjen, çka ndodh me Kosovën?

30/03/2025 - 13:25
në Kryesore, Lajme
A A
Kur Evropa zhvendos vëmendjen, çka ndodh me Kosovën?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Javët e fundit, ideja për një mision evropian në Ukrainë ka marrë vrull. Nëse realizohet, mund t’i ripërcaktojë prioritetet e sigurisë në Evropë. Por, si do ta ndikonte praninë e NATO-s në Kosovë? Më pak vëmendje, më shumë rrezik, parashohin disa analistë.

Ndërsa Evropa shqyrton dërgimin e trupave në Ukrainë, në lojë hyn edhe një front tjetër: Kosova.

Me mijëra paqeruajtës evropianë të dislokuar në vend, a mund të ndodhë që përqendrimi i burimeve dhe vëmendjes në lindje, ta lërë Kosovën më të cenueshme?

NATO-ja siguron që jo. Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i aleancës thotë se “NATO-ja, prej kohësh, është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim, së bashku me angazhimet e tjera që mund t’i marrin aleatët”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës, më 1999.

Aktualisht ka mbi 4.600 trupa – shumica dërrmuese e tyre evropianë. Italia prin me mbi 1.200, pastaj vijnë shtetet e tjera, si: Hungaria, Gjermania, Polonia apo Zvicra me qindra ushtarë.

Në Bosnje e Hercegovinë, gjithashtu, prej dekadash ka një mision paqeruajtës, që përbëhet prej forcave evropiane.

Me 1.100 ushtarë dhe 3.500 të tjerë rezervë, EUFOR-i ofron mbështetje për institucionet e këtij vendi në ruajtjen e paqes, që nga viti 2004, kur i ka zëvendësuar forcat e NATO-s.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ishte në Bosnje dhe në Kosovë pikërisht këtë muaj. Në një takim me gazetarët në Prishtinë, më 11 mars, tha se angazhimi i NATO-s në rajon mbetet i fuqishëm edhe sot e kësaj dite.

Ai tha se dërgimi eventual i trupave evropiane në Ukrainë do të mund të ndikonte në rishikimin e pranisë së huaj ushtarake në Ballkan, por nuk tha se si apo kur.

“Është shumë herët [të flitet], sepse, së pari, duhet të arrihet marrëveshje për paqe në Ukrainë, apo për armëpushim, përpara se të filloni ta ruani atë”, tha Rutte.

Britania dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për mbledhjen e një force ushtarake, që do të vendosej në Ukrainë, në rast të armëpushimit.

Kjo, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, inicioi bisedimet për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës – tre vjet pasi shteti rus nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të tij.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin së bashku planet për aranzhimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Ne po e bëjmë këtë punë së bashku. Po bashkëpunojmë ngushtë me vendet partnere dhe po përpiqemi të krijojmë një koalicion vullnetarësh nga Evropa dhe më gjerë”, tha sekretari i Britanisë për Mbrojtjen, John Healey.

Pas një takimi të udhëheqësve evropianë, më 27 mars në Paris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ata u pajtuan që t’i shqyrtonin çështjet specifike ligjore rreth çfarëdo force evropiane të sigurisë për Ukrainën, dhe të raportonin pas tri javësh.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se misioni nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e SHBA-së, por SHBA-ja ishte e ftohtë ndaj idesë së ndonjë roli ushtarak në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha, po ashtu, se për Rusinë do të ishte e papranueshme prania e forcave të vendeve të NATO-s në Ukrainë – “në secilën rrethanë”, sipas tij.

Disa vëzhgues si Tim Less, nga Qendra për Gjeopolitikë e Universitetit të Kembrixhit, nuk presin që ky mision të formohet, pikërisht për shkak të këtyre kundërshtimeve.

Në vend të tij, Less pret që Evropa t’i fortifikojë shtetet që janë më të shqetësuara nga kërcënimi rus, si ato të Baltikut, Polonia, Rumania apo Moldavia.

“E, nëse vlerëson se Ballkani është në front për t’u ballafaquar me Rusinë, atëherë mendoj se do të shohim një militarizim më të madh, sidomos të Kosovës dhe Bosnjës. Por, nëse ndodh skenari i parë, ai do të kërkonte një lloj rialokimi të burimeve larg Ballkanit, drejt atyre vendeve të tjera”.

“Në atë rast, Serbisë do t’i dërgohej mesazh i qartë, se nuk do të përballej me kundërshtime, nëse i shtyn përpara qëllimet e veta politike”, thotë Less për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Këtë mendim ndan edhe Hikmet Karçiq, bashkëpunëtor hulumtues në Universitetin e Sarajevës dhe autor i librit “Torturë, poshtërim, vrasje: Brenda sistemit të kampit serb të Bosnjës”.

Zhvendosja e vëmendjes mund të krijojë boshllëqe në siguri, sipas tij.

“Çdo dhunë që ndodh në rajon, ka potencial të përhapet nga një vend në tjetrin – në Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut. E kemi parë këtë edhe në të kaluarën. Por, viteve të fundit ka qenë fokusi i Perëndimit, i NATO-s, ai që e ka mbrojtur rajonin”.

“Në Kosovë, për shembull, prania e trupave të huaja është arsyeja kryesore përse Serbia nuk ka bërë përpjekje – përveç para gati dy vjetësh në Banjskë – ta sulmojë fizikisht atë”, thotë Karçiq për Exposenë.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, pret që rajoni i Ballkanit të mbetet në radarin e Evropës dhe të zërë vend në secilin plan për mbrojtje që ajo bën.

Këtë, sipas saj, e dëshmon edhe vizita që bëri shefi i NATO-s në Kosovë, e paraprakisht edhe në Bosnje.

“Nuk e dimë ende nëse forcat [evropiane] do të vendosen në Ukrainë. Por, nëse një vendim i tillë merret, i bie që Evropa ka investuar në forcat e veta ushtarake. E kemi parë edhe planin për ndarjen e 800 miliardë eurove për mbrojtje. Mendoj se aty do të përfshihej edhe Kosova”, thotë Loshaj për Exposenë.

Loshaj u sugjeron institucioneve të Kosovës të mbeten në komunikim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë – qoftë me NATO-n si tërësi, apo edhe me shtetet e saj veç e veç.

Ajo e vlerëson në mënyrë të veçantë nismën për bashkëpunim ushtarak që u ndërmor së voni nga Kosova, Shqipëria e Kroacia.

“[Ajo] dërgon një mesazh se Kosova është gati për të gjetur mënyra jo vetëm për të forcuar kapacitetet e saj, por edhe për të reflektuar ndaj situatave të tanishme gjeopolitike”, thotë Loshaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili synon një mandat të ri qeverisës, premtoi këtë javë mbi një miliard euro buxhet për Forcën e Sigurisë së vendit dhe përsëriti se Kosova do ta ndërtojë fabrikën e saj të municioneve dhe dronëve ushtarakë.

Less, nga Universiteti i Kembrixhit, beson se Kosova duhet të ndërmarrë dy hapa kyçë për të ruajtur vëmendjen e aleatëve të saj.

“Një është lobimi aktiv te Perëndimi, duke promovuar idenë se Serbia është kërcënim për të dhe duhet të frenohet. Dhe, nën dy, të investojë në sigurinë e saj, duke ndërtuar ushtrinë e saj, duke ndërtuar rezervat e saj të armatimit e kështu me radhë – në rast se i duhet të përballet me Serbinë drejtpërdrejt dhe pa ndihmë nga jashtë”, thotë Less.

Karçiq pajtohet se strategjitë e koordinuara diplomatike dhe ushtarake do të jenë vendimtare në balancimin e këtyre sfidave të njëkohshme të sigurisë.

Sipas tij, Perëndimi do të duhej ta ndihmonte Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe të sigurisë, përfshirë edhe rritjen e sigurisë kibernetike, për të qenë në gjendje të mbrohet nga kërcënimet e mundshme.

Bosnjën thotë se duhet ta inkurajojë t’i kapërcejë ndarjet e saj politike dhe të ndërmarrë hapa për t’i forcuar institucionet dhe kapacitetet e saj të sigurisë.

Në të kundërtën, Karçiq thotë se Rusia do të plotësonte çdo vakum të mundshëm që do të linte Perëndimi.

“Rusia, së bashku me mbështetësit e saj në Serbi dhe në Mal të Zi, do të përpiqej përfundimisht të pengonte zgjerimin e NATO-s në këtë zonë, si dhe integrimin e saj në BE. Po ashtu, do të bënte përpjekje për t’i destabilizuar edhe shtetet e NATO-s në Ballkan, si Mali i Zi. I kemi parë këto përpjekje edhe viteve të kaluara, sidomos me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.

Dhe, me një administratë amerikane që sinjalizon më pak përfshirje në çështjet evropiane, Kremlini mund të ndjejë më pak presion për veprimet e tij, qoftë në Ukrainë, qoftë në Ballkan, thotë profesori Less.

“Inaugurimi i Donald Trumpit më 20 janar ishte një lloj bombe që shpërtheu në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pothuajse kudo që shikoni, shihni një lloj të ndikimit të Trumpit”, sipas tij.

Në këtë klimë të pasigurt, sfida për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duket e qartë: qëndroni në radar, ose rrezikoni të mënjanoheni nga loja gjeopolitike, thonë analistët.

Por, kjo kërkon një balancë të kujdesshme mes interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare – diçka që kurrë nuk është e lehtë, sidomos në një rajon si Ballkani. /REL

JU REKOMANDOJMË

Liderë të Evropës e liderë të rajonit prej dy ditësh në Francë, nga Kosova s’duket askush

Liderë të Evropës e liderë të rajonit prej dy ditësh në Francë, nga Kosova s’duket askush
14/07/2026 - 15:54

Nën kujdesin e presidentit të Francës, Emanuel Macron, Franca ka pritur dje dhe sot liderë evropianë, Sekretarin e NATO-s krerë shtetesh të rajonit. Gjatë ditës së hënë është...

Më shumëDetails

“Posti i presidentes dhe një takim të ri me Kurtin“, Osmani deklarohet shkurt para mediave!

“Posti i presidentes dhe një takim të ri me Kurtin“, Osmani deklarohet shkurt para mediave!
14/07/2026 - 15:29

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka refuzuar të japë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Osmani...

Më shumëDetails

Hoti: Serbia avancon në marrëdhëniet me SHBA-në, Kosova mbetet me dialogun strategjik të pezulluar

Hoti: Kushtetuesja t’i zgjidhë problemet që i ka krijuar vetë- e drejta për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar të kufizohet në kohë
14/07/2026 - 14:54

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas njoftimit se Serbia do të nisë raundin e parë të dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hoti ka...

Më shumëDetails

Pas thirrjes për spastrim etnik të Kosovës, ministrja serbe nuk tërhiqet: Krenohet me politikën e Millosheviqit

Pas thirrjes për spastrim etnik të Kosovës, ministrja serbe nuk tërhiqet: Krenohet me politikën e Millosheviqit
14/07/2026 - 14:25

Pas reagimeve të ashpra që shkaktoi deklarata e saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”, ministrja serbe...

Më shumëDetails

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj
14/07/2026 - 14:07

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ashpër pas deklaratës skandaloze të ministres për Pushtetin Lokal, Snežana Paunoviq. Ajo ka deklaruar se “po të ishte...

Më shumëDetails

Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

RTK publikon një audio-incizim që e inkriminon Fatmir Shehollin
14/07/2026 - 13:52

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit. Vendimi është...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ky është personi i plagosur sonte në Pejë

    Ky është personi i plagosur sonte në Pejë

    150 Shpërndaje
    Shpërndaje 60 Tweet 38
  • Plagosja në Pejë, policia jep detajet e fundit

    134 Shpërndaje
    Shpërndaje 54 Tweet 34
  • Skandali i radhës me naftëtarët: Inspektorati e dërgon në gjykatë “DHF Company” të Hysen Jusajt për abuzim me çmimet e naftës

    119 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Plagosja me pesë plumba në Pejë: Vetëdorëzohet i dyshuari (Emri)

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Specialja flet për dorëzanin e Hashim Thaçit

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë