Prishtinë– Në fjalën përfundimtare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Dren Paca kërkoi të shpallen fajtorë dhe të dënohen Lulzim dhe Naim Sallahu, si dhe subjekti juridik “SA Sallahu” sh.p.k. Kurse, mbrojtja e këtyre të fundit kërkoi të merret aktgjykim lirues.
Në këtë rast, Lulzim Sallahu në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Palët në procedurë ia dorëzuan me shkrim fjalën përfundimtare trupit gjykues, ndërsa e elaboruan shkurt.
Prokurori Dren Paca tha se nga provat meteriale dhe personale që janë administruar në shqyrtim gjyqësor, pa mëdyshje është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Prokurori kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe propozoi lartësinë e dënimit, si dhe shqiptimin e dënimit plotësues- ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë në administratë publike
Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Sallahu, avokatja Bahrie Besimi e kundërshtoi fjalën përfundimtare të prokurorit Paca, duke theksuar se kjo Prokurori ka vepruar jashtë kompetencës lëndore në rastin e të mbrojturit të saj.
Kjo sipas saj për faktin se mashtrimi në prokurim publik nuk bie në kompetecë të Prokurorisë Speciale kur të përfshirë nuk janë zyrtarët publikë.
Po ashtu, avokatja Besimi kërkoi nga trupi gjykues lirimin nga akuza për të mbrojturin e saj, me arsyetimin se nuk ka elemente të veprës penale dhe nuk është arritur ndonjë përfitim.
Edhe, mbrojtësi i subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k, avokati Daut Rudi kërkoi nga Gjykata që me rastin e marrjes së vendimit, të shpallë aktgjykim lirues.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Naim Sallahu, avokati Blerim Çela deklaroi se aktakuza që e ngarkon të mbrojturin e tij nuk ka të bëjë me të dhe se kjo Prokurori nuk ka arritur të specifikojë ndonjë veprim të veçantë për të mbrojturin e tij.
Andaj, Çela i propozoi trupit gjykues që me rastin e nxjerrjes së vendimit, të akuzuarin Naim Sallahu ta lirojë nga akuza.
Kurse, vetë të akuzuarit Lulzim dhe Naim Sallahu kërkuan nga Gjykata të marrë vendim të drejtë ndaj tyre.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj personit juridik-kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k dhe dy personave fizikë: Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut.
I pandehuri Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Lulzim Sallahu dhe i pandehuri “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, më 5 shtator 2019 në Prishtinë, në cilësinë e pronarit të “SA Sallahu” sh.p.k., me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik në projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.
Sipas aktakuzës, këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të lartpërmendurit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë dhe se kishin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.
Ndërkaq, i pandehuri Naim Sallahu në vitin 2019, thuhet se me qëllim që t’ia mundësojë vëllait të tij të pandehurit Lulzim Sallahu që përmes kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k., të plotësonte kushtet e Autoritetit Kontraktues përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, të shprehura në njoftimin për kontratë lidhur me projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, respektivisht kinse i njëjti kishte në përbërje të stafit të tij të angazhuar inxhinierë me përvojë, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e cekura si në dispozitivin I, me përmbajtje të rreme./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.