Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, me propozimin për gjykim në mungesë, shkruan Reporteri.net.
P.N.,Z.D.,I.I.,S.M., dhe J.D., akuzohen se, si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, më 06 maj 1999, kanë kryer krime lufte në Fushë Kosovë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë, të cilët nga stacioni i trenit u transportuan në vendin e quajtur “Megja”, ku janë ekzekutuar me armë zjarri.
Në njoftim theksohet se të pandehurit janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë”, ndaj është propozuar gjykimi në mungesë.
“PSRK, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net












