Shtatë persona, përfshirë zyrtarë të lartë publikë dhe një ish-ministër, janë arrestuar të enjten në rajonin e Prishtinës në kuadër të një operacioni të gjerë kundër korrupsionit, të zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se aksioni është rezultat i një hetimi disamujor, i cili ka përfshirë masa të veçanta hetimore, ndërsa të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave. Personat e arrestuar janë identifikuar me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit, mashtrimin dhe armëmbajtjen pa leje. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente dhe pajisje elektronike.













