Refuzimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u bërë pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka nxitur reagimin e deputetit të këtij subjekti, Ermal Sadiku.
Përmes një reagimi publik, Sadiku, i cili jo më larg se para dy javësh e propozoi Hashim Thaçin për president, tha se mendimet e tij rreth këtij procesi i ka konsoliduar dhe diskutuar brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Sadiku tha ai nuk del të votojë kundër vendimeve të partisë të cilës i takon.
“Mendimin tim për Gjykatën Speciale veç e dini. Për votimin e sotëm, çka kam pasë me thanë, e kam thanë brenda Grupit Parlamentar. Jo, nuk dal me votu kundër vendimeve të partisë së cilës i takoj”, tha Sadiku në një shkrim në Facebook.
Ai drejtoi kritika mbi praktikat e mëparshme politike brenda LDK-së.
“Protagonizëm politik në LDK ka pasë boll ndër vite, shpesh për interesa personale. Unë nuk e bëj këtë”, shkroi Sadiku.
Ky qëndrim i deputetit Sadiku vjen pas deklaratës së tij, në ditën kur u shpall verdikti ndaj krerëve të UÇK-së, ku kishte shprehur publikisht mbështetjen e tij për votimin e Hashim Thaçit për president.














