Sonte pritet të zhvillohet për të tetën natë me radhë protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Për shtatë net me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur në shesh, ndërsa platforma “Liria ka Emër” ka ftuar sërish qytetarët që t’i bashkohen protestës nga ora 21:00.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, si dhe flamuj kombëtarë, të UÇK-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Protesta në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara janë zhvilluar ditëve të fundit edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.













