Kreu i qeverisë theksoi se këto duar që shkatërrojnë nuk janë të studentëve. Ai pohoi se studentët përfaqësojnë të ardhmen dhe se qeveria është e gatshme të dialogojë me ta për të gjetur zgjidhje për çështjet që kërkojnë vëmendje.
Në vijim, Rama akuzoi opozitën se, përmes dhunës, synon të pengojë zhvillimin e Shqipërisë.
“Deri dje, kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës së Evropës së bashkuar që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit evropianë të pranishëm këtu në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e e ardhmja, janë ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje.
Këto janë të tjera duar, këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite, e cila me maska të verbërisë, me zjarr dhe hekur, kërkon ta kthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të kthehet kurrë.Kërkojnë ta rikthejnë në humnerën nga ku e nxorrëm dhe ku po e ngjisim, drejt ëndrrës në breza, BE.
Kolegji i Europës ndodh sot të jetë simboli. Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj dhe kurrë më s’do të jenë ato duar që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më thellë opozitën shqiptare, s’do ta kapin dot Shqipërinë. përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit. Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Katrahura që u kthye në verbërinë e saj, fantazma që do të përpiqet të rikthehet do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve“, tha Rama.












