Strategjitë që ju ndihmojnë të mos mbijetoni në punë, por të ndiheni të vlerësuar dhe të sigurt
Melody Wilding, në librin e saj Managing Up: How to Get What You Need from the People in Charge, shkruan për “menaxhimin strategjik të marrëdhënieve me ata që kanë pozicion më të lartë se ju, veçanërisht me shefin tuaj”, duke ofruar këshilla konkrete dhe të zbatueshme.
Gjatë karrierës së saj, Melody Wilding ka takuar shumë punonjës të frustrur, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë çfarë dëshiron realisht shefi i tyre, ndihen të anashkaluar kur bëhet fjalë për projekte të rëndësishme apo ngritje në detyrë, ose janë të mbingarkuar nga lojërat politike në zyrë. Në librin e saj, ajo shkruan se këto probleme shpesh përmblidhen në një pikë të vetme: ata nuk dinë si ta menaxhojnë me sukses marrëdhënien me eprorët.
Wilding, e cila është bashkëpunëtore e CNBC Make It, mbështetet në përvojën e saj si terapiste, profesoreshë e sjelljes njerëzore dhe executive coach, që ka punuar me mijëra profesionistë – përfshirë ata në kompani si Google, Amazon dhe të tjera nga lista Fortune 500. Ajo ka zhvilluar gjithashtu dhjetëra intervista dhe një anketë me 12.000 persona. Rezultati është një libër i pasur me këshilla praktike, skenarë të gatshëm dhe shembuj nga jeta reale.
Qëllimi i saj është të “tregojë saktësisht si të aplikoni parimet e inteligjencës emocionale, ndikimit, bindjes, negocimit dhe aftësive të tjera, për të fituar avantazh në punë”.
Këto aftësi mund t’ju ndihmojnë të përballeni me një shef kontrollues ose një person toksik, të vendosni kufij në një kulturë të disponueshmërisë së vazhdueshme, të shmangni thashethemet në zyrë, të jepni feedback delikat shefit, të vendosni nëse duhet të pranoni një ofertë tjetër pune ose të zgjidhni sfida të tjera të përditshme. Sepse, siç thotë Wilding, “ju meritoni më shumë sesa thjesht të mbijetoni në punë”. Ju meritoni të ndiheni të sigurt, të vlerësuar dhe të fuqishëm në komunikimin me eprorët, transmeton Telegrafi.
10 biseda kyçe që duhen menaxhuar
Wilding e fokuson librin te dhjetë biseda të rëndësishme, të cilat zakonisht zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, e jo si ngjarje të vetme. Ato mund të jenë formale ose informale, nga më baziket te më të avancuarat.
Biseda për harmonizimin: Qëllimi është të kuptoni si kontribuon puna juaj në suksesin e përgjithshëm dhe të dakordësoheni me shefin se çfarë nënkupton “suksesi”.
Biseda për stilet: Mësoni të “deshifroni” stilin e komunikimit dhe zakonet e punës së shefit tuaj, por edhe të shprehni me vetëbesim nevojat tuaja, në mënyrë që të fitoni respekt.
Biseda për marrjen e përgjegjësisë: Kaloni nga qasja “bëj vetëm atë që më thuhet” në propozimin aktiv të ideve të reja dhe zgjidhjen e problemeve reale, me mbështetjen e menaxherit.
Biseda për kufijtë: Mësoni kur dhe si të thoni “jo” pa humbur reputacionin e lojtarit të ekipit.
Biseda për feedback-un: Si t’i jepni kritika konstruktive shefit dhe eprorëve, në mënyrë që t’ju marrin seriozisht, përfshirë edhe përballjen me fyerje ose hakmarrje.
Biseda për rrjetëzimin: Zgjeroni fokusin edhe te vendimmarrës të tjerë dhe persona kyç në kompani, duke ndërtuar kapital social në mënyrë autentike.
Biseda për dukshmërinë: Siguroni që rezultatet tuaja të vihen re dhe të shpërblehen, si dhe mësoni si të veproni kur dikush tjetër merr meritat për punën tuaj.
Biseda për avancimin: Poziciononi veten për projekte më të mëdha, më shumë përgjegjësi ose një rol të ri, duke u harmonizuar me nevojat e kompanisë dhe duke fituar mbështetjen e shefit.
Biseda për paratë: Mësoni si të negocioni për një pagë më të mirë fillestare, rritje page ose benefite të tjera, duke kapërcyer frikën dhe stigmat.
Biseda për largimin: Si të largoheni nga puna me dinjitet, duke ruajtur reputacionin dhe marrëdhëniet, sepse “si largoheni, ashtu do të mbaheni mend”.
“Imagjinoni veten pas 365 ditësh” – dhe përshtatni qasjen
Marrëdhënia juaj me shefin nuk do të jetë e njëjtë me atë të mikut tuaj me shefin e tij. Të gjitha këto biseda duhet të përshtaten sipas personaliteteve, stileve, qëllimeve dhe kontekstit.
Wilding jep këshilla si të dalloni nëse shefi juaj është “Komandant”, “Tifoz”, “Kujdestar” apo “Kontrollues”, dhe si t’i qaseni secilit në situata të ndryshme.
Megjithatë, këshilla e saj kryesore është: dini çfarë doni dhe lejoni që kjo të ndryshojë.
Në fillim të librit, ajo i fton lexuesit të përkufizojnë vizionin e tyre për vitin e ardhshëm: “Imagjinoni veten pas 365 ditësh, në ditën më të mirë të punës suaj. Çfarë po bëni, me kë po bashkëpunoni dhe çfarë ju bën të ndiheni të përmbushur dhe plot energji atë ditë?”
Këtë vizion mund ta përdorni si hartë për shumë nga bisedat e librit dhe, me kalimin e kohës, ta përshtatni.
Filloni me hapa të vegjël – do të bëhet më e lehtë
Këto biseda mund të duken frikësuese, madje edhe për njerëzit shumë të suksesshëm që Wilding këshillon.
“Nëse duhet, filloni ngadalë”, thotë ajo. “Këmbëngulja do t’i bëjë këto komunikime më natyrale dhe më të lehta.”
Në fund, qëllimi i librit nuk është vetëm të ndryshojë mënyrën se si flisni me eprorët, por edhe mënyrën se si e shihni veten.
“Në vend që të jeni viktimë e vendimeve ose humorit të të tjerëve, tani keni mjetet për të marrë kontrollin.”












