Shumë njerëz e kanë vënë re një detaj të pazakontë në uniformat e ushtrisë amerikane: flamuri i SHBA-së është i kthyer përmbys — ose më saktë, duket sikur është vendosur mbrapsht.
Por, sipas autorit dhe analistit britanik Tim Marshall, kjo nuk është aspak gabim.
Marshall, autori i librit “Ia vlen të vdesësh për: Fuqia dhe politikat e flamujve”, shpjegon se kjo mënyrë vendosjeje ka një simbolikë të fortë që lidhet me nderin dhe historinë ushtarake amerikane.
Në një video shpjeguese, ai tregon se flamuri gjithmonë duhet të duket sikur po përparon, jo sikur po tërhiqet, transmeton Telegrafi.
Kjo është arsyeja pse në uniformë, ana me yjet vendoset përpara, në krahun e djathtë të ushtarit — duke krijuar përshtypjen se flamuri po valon përpara, në drejtimin e ecjes.
I njëjti rregull zbatohet edhe për flamujt që vendosen në automjetet zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Kur një kolonë lëviz përpara, flamuri është orientuar në atë mënyrë që yjet të jenë gjithmonë në ballë — si simbol i forcës, përparimit dhe krenarisë kombëtare.
Kështu, ajo që duket si “flamur i kthyer mbrapsht” në të vërtetë është një shenjë nderimi për flamurin dhe për trupat që ecin gjithmonë përpara.