Një punëtor i minierës së “Trepçës” ka pësuar lëndime të rënda, në mbrëmjen e 4 gushtit, derisa po punonte në horizontin IX në punishten 136 dhe po montonte një gomë të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bartet xehja- ka pësuar lëndime të rënda.
Punëtori në fjalë u lëndua rëndë gjatë orarit të punës në Minierën me Flotacion Trepça-Stan Tërg gjatë montimit të një gome të makinës vetëngarkuese me ajër të komprimuar me të cilën bëhet bartja e xehes.
Në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, lajmi.net ka biseduar me shefin e Klinikës së Emergjencës, Naser Syla, i cili ka thënë se gjendja e tij tani është stabile.
“Është trajtuar tek ne në Qendër Emergjente dhe është transferuar në Klinikë Torakale”. Gjendja e tij tani është stabile”, ka thënë Syla për lajmi.net.
Në lidhje me rastin, detaje për lajmi.net kanë dhënë edhe nga miniera e Trepçës. Zëdhënësja e kësaj miniere, Donika Osmani Mehmeti e ka konfirmuar atë, dy ditë pasi ka ndodhur rasti, vetëm pas interesimit të lajmi.net për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
“Punëtori është jashtë rrezikut për jetën dhe është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A. dhe inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilat do të dalin me një raport zyrtar për situatën e krijuar dhe shkaqet që kanë çuar deri te incidenti”, ka thënë Osmani Mehmeti për lajmi.net.
Në lidhje me rastin, lajmi.net ka kontaktuar edhe me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzin, i cili ka thënë se ai ka pësuar lëndime pasi ka shpërthyer goma.
“Gjatë kryerjes së detyrave të tij, ka ndodhur shpërthimi i gomës dhe i ka shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë shkurt Januzi.