Konsiderohet si ndërtuesi “i fortë” i Skenderajt, pasi dikur në prapaskenë shihej në shoqërinë e kryetarit Sami Lushtaku, ndërsa së fundmi është emëruar këshilltar i tij i jashtëm. Fjala është për Astrit Çitakun, punët ndërtimore të të cilit, viteve të fundit, janë karakterizuar me skandale të shumta.
Skandalet e tij me punimet “shkel e shko” në ndërtimin e objekteve banesore duket se nuk kanë të ndalur.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit të Punës, me të cilin “Andrra Invest” L.L.C., e Astrit Çitakut, dhe “Asons Invest” Sh.P.K., e Arben Çitakut, janë gjobitur me 3 mijë euro për shkelje të dispozitave të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, gjatë ndërtimit të një objekti banesor që po e ndërtojnë në Skenderaj si konsorcium.
Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga Veriu.info thuhet se në objektin afaristo-banesor të konsorciumit “Andrra & Asons” ishin duke u zhvilluar punime në mungesë të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, pasi punimet nuk ishin duke u përcjellë me skela dhe nuk ishin të mbyllura hapësirat në kontakt me jashtë (shkallët dhe liftat).


Për shkak të këtyre shkeljeve të evidentuara, inspektorët e punës i kishin ndërprerë përkohësisht punimet konsorciumit “Andrra & Asons” në objektin që po ndërtohej në rrugën “Emin Lati”, në lagjen 1 në Skenderaj.
Pas ndërprerjes së punimeve, konsorciumi “Andrra & Asons” kishte tentuar ta fuste në lajthitje Inspektoratin e Punës, duke bërë kërkesë për lejim të punimeve me arsyetimin se i kishte përmbushur rekomandimet.

Kur inspektorët e punës kishin dalë në vendpunishte më 16 maj 2025, kishin konstatuar se konsorciumi “Andrra & Asons” ende nuk i kishte përmbushur kushtet për lejimin e punimeve, pasi nuk i kishte mbyllur hapësirat në kontakt me jashtë.
Vazhdimi i punimeve për konsorciumin “Andrra & Asons” ishte lejuar vetëm më 21 maj 2025, kur inspektorët kishin dalë në një inspektim të ri dhe kishin konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore.
Përveç shkeljeve ligjore gjatë punimeve në këtë objekt banesor, vendimi i inspektorëve të punës zbardh edhe diçka tjetër të rëndësishme: pronësinë reale të kompanisë “Asons Invest” Sh.P.K.
Ndërsa në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve shkruan se pronare me 100% të aksioneve në “Asons Invest” Sh.P.K. është Sadete Çitaku, në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se pronar i kësaj kompanie është Arben Çitaku, ndërsa Sadete Çitaku është vetëm përfaqësuese e autorizuar e kompanisë.
Veriu.info mëson se Sadete Çitaku është bashkëshortja e Arben Çitakut.
Kush është Arben Çitaku?
Arben Çitaku për disa vite ishte Sekretar i Ministrisë së Ambientit, i njohur për publikun si person i afërt politikisht me PDK-në.
Në vitin 2022, Arben Çitaku ishte arrestuar në rastin “Brezovica”, por ndaj tij kanë pushuar hetimet në vitin 2025, pasi prokuroria kishte konstatuar se nga provat e mbledhura gjatë hetimeve nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se ai ka kryer ndonjë nga veprat penale për të cilat ishte nisur procedura, përfshirë edhe akuzën për bashkëkryerje të dhënies së ryshfetit.


Kush është Astrit Çitaku?
Astrit Çitaku njihet si biznesmen në fushën e ndërtimit, projektet e të cilit janë përcjellë vazhdimisht me zhurmë të madhe mediale, për probleme të ndryshme.
Ai dyshohet se në vitin 2024 kishte kanosur një inspektore të punës, rast të cilin për Veriu.info asokohe e kishte konfirmuar edhe policia si denoncim të pranuar.
Sivjet, Astrit Çitaku ka qenë edhe më shumë në qendër të vëmendjes. Fillimisht për një vizitë që kishte realizuar në Libi me kryetarin e Skenderajt, për të cilën asnjëherë nuk ka shpjeguar se në çfarë cilësie ka shkuar dhe cili ishte qëllimi i vizitës.
Sikur të mos mjaftonin raportimet për këtë vizitë, kryetari Lushtaku e kishte emëruar Astrit Çitakun muajin e kaluar si këshilltar të jashtëm.
Në fillim të prillit, mediat kanë raportuar për hetimet që prokuroria dhe ATK-ja kanë nisur ndaj Astrit Çitakut në lidhje me blerjen e disa veturave.
Foto kryesore e artikullit: Arben Çitaku dhe Astrit Çitaku – Pamjet në prapavijë: Ilustrim
Pronari i “Andrra Invest” kanos inspektoren e Punës, policia inicion rast për këtë vepër penale














