Pushime vjetore të copëtuara, punë pa pagesë shtesë gjatë fundjavave e festave, si dhe mosrespektim i të drejtave të nënave që ushqejnë fëmijët me gji.
Këto janë disa nga shkeljet kryesore që Inspektorati Qendror i Punës ka gjetur te kompania e njohur “Ujë Rugove”.
Në një vendim të nxjerrë nga Inspektorati i Punës të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, subjektit juridik “Ujë Rugove” sh.p.k, i janë konstatuar tri shkelje të rënda ligjore.
Së pari – Shkelja e të drejtës për pushim vjetor. Sipas Inspektimit, punëdhënësi nuk lejonte shfrytëzimin e pjesës kryesore të pushimit prej të paktën 10 ditësh të pandërprera, siç e kërkon ligji.
Në vend të kësaj, punëtorëve u jepeshin vetëm nga një deri në pesë ditë pushim, pa u evidentuar saktë se sa ditë u kishin mbetur nga viti në vit.
Së dyti – Mospagesa e orëve shtesë. Edhe pse punëtorët punonin gjashtë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare, kompania nuk i ka kompensuar ata me shtesën e obligueshme prej 50% mbi pagën bazë për orët e punuara gjatë vikendeve dhe festave.
Dhe së treti – Shkelja e të drejtave të nënave lehonë. Inspektorati ka konstatuar se nënave që ushqejnë fëmijët me gji nuk u është garantuar e drejta ligjore për pushim prej 1 orësh brenda orarit të punës.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje pranë kompanisë “Ujë Rugove” për të marrë një qëndrim apo sqarim lidhur me këtë vendim të Inspektoratit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij materiali, kompania nuk ka kthyer asnjë përgjigje.













