Vetëm pak ditë para zgjedhjeve balotazhi në Mitrovicë, ndërmarrja publike “Trepça” ka vendosur shirita për mbylljen e një restoranti në pronësi të biznesmenit Kajtaz Kajtazi, i cili prej kohësh është në konflikt ligjor me ndërmarrjen.
Sipas burimeve të Jepi zë, vendimi për mbylljen e objektit është zbatuar këtë fundjavë, në një kohë kur tensionet politike në qytet janë të larta. Restoranti ndodhet në pronë të Trepçës, ndërsa kontesti mes palëve ka nisur më shumë se një vit më parë dhe ende nuk është zgjidhur përfundimisht.
Rasti ka marrë ngjyrim politik pasi Kajtazi, pronari i lokalit, është parë kohë më parë në një takim me kandidatin Arian Tahiri, gjë që ka ngjallur reagime dhe dyshime për prapavija politike në kohën e veprimit.
Burimet e kanë cilësuar këtë si “presion të koordinuar ndaj përkrahësve të Tahirit”, duke e lidhur momentin e mbylljes me fushatën zgjedhore që është në fazën përfundimtare.
Nga ana tjetër, ndërmarrja “Trepça” ka thënë në njoftimin e saj se mbyllja është bërë për “shkelje të marrëveshjes për shfrytëzimin e pronës”, duke theksuar se veprimi është i bazuar në vendim administrativ dhe nuk ka lidhje me zhvillimet politike.
Megjithatë, fakti që shiritat u vendosën vetëm pak ditë para zgjedhjeve ka shtuar dyshimet për qëllime të tjera përtej ligjore, duke e bërë rastin pjesë të debatit më të gjerë për përdorimin e institucioneve publike në prag të zgjedhjeve.














