Xhevdet Qeriqi nga shoqatat e dala nga lufta, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj drejtuesve dhe përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke i cilësuar ata si pjesë e një “projekti kriminal” që synon njollosjen e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në TV Dukagjini, Qeriqi ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e quajtur deklaratën e saj të fundit si “të turpshme”.
Ai tha se në këtë gjykatë “po zhvillohet një krim mbi drejtësinë”, duke kritikuar edhe mungesën e transparencës në proceset gjyqësore.
“Ju e keni parë vetë se si mediave nuk u është lejuar qasja për të filmuar apo për të parashtruar pyetje. Është një deklaratë e turpshme nga kryetarja e Dhomave të ‘krimit’, sepse aty po ndodh një krim nga përfaqësuesit, gjyqtarët dhe prokurorët e kësaj gjykate”, u shpreh Qeriqi.
Ai theksoi se aktakuzat që rëndojnë mbi ish-pjesëtarët e UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativën serbe dhe e quajti raportin e Dick Marty-t, mbi të cilin u ngritën Dhomat e Specializuara, një fabrikim i pastër.
“Nëse analizojmë të gjithë aktakuzën, është e qartë që ajo vjen nga Serbia. Si raporti i Dick Marty-t ashtu edhe dokumentet mbi të cilat bazohet kjo gjykatë janë përgatitur nga strukturat kriminale serbe, me qëllim që të njollosin luftën tonë çlirimtare”, theksoi Qeriqi.
Më tej, ai shprehu shqetësimin për faktin që kryetarja Trendafilova ka dhënë deklarata për media serbe, të cilat sipas tij janë të njohura për propagandë kundër Kosovës dhe UÇK-së. “Kjo është dëshmi e qartë e bashkëpunimit të saj me qarqe që janë të orientuara kundër interesave të Kosovës”, deklaroi ai.