Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka njoftuar për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm.
Për Paparacin, Ibrahimi tha se ky nuk është një rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është informuar që sa ditë për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, Ky nuk është rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave.
Gjatë një bisede telefonike me z. Bashkim Ramosaj, Kryetarin e Komunës së Deçanit, AKK është informuar se ky bllokim, përveç pasojave të drejtpërdrejta në shërbimet komunale, po perceptohet edhe si veprim politik, pasi ndodh ndaj një komune e cila udhëhiqet nga një parti që nuk është pjesë e pushtetit qendror”, theksoi Ibrahimi.
Tutje ai tha se këto veprime të nivelit qëndror po krijojnë pasoja.
“Ndëshkojnë qytetarët, duke ua pamundësuar përfitimin nga shërbimet dhe investimet publike, pengojnë realizimin e projekteve kapitale, sidomos në një vit zgjedhor lokal, kur komunat duhet të japin llogari para qytetarëve, shkelin parimin e barazisë dhe të vetëqeverisjes lokale, të garantuar nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale”.
Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë qasje të qeverisë si presion të papranueshëm ndaj pushtetit lokal, i cili rrezikon të minojë themelet e demokracisë lokale dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
AKK kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të heqë bllokimet dhe të garantojë funksionimin e lirë të komunave, në mënyrë që qytetarët të mos bëhen viktimë e këtyre veprimeve.