Vetëvendosja nuk ka numra për të zgjedhur Albulena Haxhiun, Kryetare të Kuvendit tash e një muaj: Dymbëdhjetë seanca konstitutive kanë dështuar në emër të saj. Zgjidhja i është ofruar për të ndërruar emrin e saj me një tjetër më konsensual. Vetëvendosja refuzon të ndërrojë emrin e saj e të kalojë në fazën për të zgjedhur Qeverinë e Kosovës, për çka po ashtu nuk ka vota. Në këtë ngërç partia e udhëhequr nga Albin Kurti tash ka bllokuar konstituimin e kuvendit duke e vendosur në votë të fshehtë sërish Albulena Haxhiun: në emër të ‘demokracisë së përnjëmendtë’ dhe të ‘çlirimit të vullnetit të ndrydhur të deputetëve’ të partive tjera. Situata ka mbërrirë në absurd.
Për të dalë nga kjo ‘vrimë e zezë’, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku – pasi refuzoi koalicionin të ofruar nga Albin Kurti – propozoi një Qeveri Kalimtare Gjithpërfshirëse, jetëshkurte, për të trasuar rrugën për zgjedhjet e reja.
Por, propozimi i Abdixhiku s’gjeti pajtim te të tjerët: VV e refuzoi në start dhe nisi sulmet ndaj tyre pa u bërë as 24 orë nga kur dërguan lutje për koalicion. PDK e refuzoi në mënyrë diplomatike se kjo çështje i takon Presidentes së Kosovës si instancë mbipartiake ndërsa AAK-ja se nuk ulet me Vetëvendosjen. Propozimi i Abdixhikut mbeti jetim për një ditë.
Refuzimi i PDK-së
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës këta të fundit përmes një komuniakte e kamufluan një ‘Jo’ të mirësjelltë ndaj LDK-së për Qeveri Kalitmare duke i rikujtuar atë se qëndrojnë për një qeveri nga partitë ish-opozitare kur Vetëvendosja të dështojë të krijojë shumicën parlamentare përfundimisht.
Për Qeverinë Kalimtare, PDK-ja e kaloi me këto fjalë: “Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”.
Refuzimi i AAKsë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu e artikuloi mirësjellshëm propozimin e LDK-së: duke e saktësuar pozicionin e vet se një qeveri e tillë mund të bëhej nga ta, por se AAK “nuk ulet aty ku është Vetëvendosja”.
“Po konsultave me LDK-në dhe PDK-në, asgjë s’po e kundërshtoj LDK-në për konsulta, por e kam të pamundshme të ulem aty nëse është VV. Por ne skemi vendim cka bëjnë koleg tanë”, tha Haradinaj.
Kryetari i AAK-së duke i çuar porosi Abdixhikut tha se si AAK angazhohen për një qeveri nga ish-partitë opozitare, duke i rikujtuar edhe qëndrimet e LDK-së që ata të udhëheqin qeveri të tillë “gjë që nuk është e mohuar”.
“Jo (nuk marrë pjesë tryezë me VV). Ne përfaqësohemi nga opozita, por nuk marrim pjesë. Nuk “i ndalojmë kolegët t’i konsumojmë këto mundësi”, tha Haradinaj.
Qëndrimi i LDK-së
LDK beson se numrat nuk janë as nga ish-pushteti as nga ish-opozita: aspak realiste s’i sheh mundësinë e formimit të qeverisë as nga njëra anë as nga tjetra.
Në anën tjetër, për qeveri të ish-opozitës i qëndron asaj që të ketë “qeveri stabile” pa shtjelluar se çka do të thotë kjo kur vetë artikulon mosnumrat, dhe udhëheqjen e asaj qeverie.
Ndërsa për daljen nga bllokada çdo katërdhjetë e tetë orëshe, ka propozuar Qeveri Kalimtare Gjithpërfshirëse deri në zgjedhjet e reja në fillim të vitit tjetër.