Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, e cila së fundi deklaroi se “qytetarët e Kosovës kurrë nuk kanë pasur më shumë para”, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, më 31 mars 2025.
Gazeta Insajderi ka analizuar dokumentin për të parë se çfarë pasurie ka njoftuar vetë zyrtarja e lartë.
Sipas formularit zyrtar, Gashi ka deklaruar një shtëpi të trashëguar me sipërfaqe 428.30 metra, të cilësuar me vlerë 128,304 euro, e regjistruar si pronësi e përbashkët.
Përveç kësaj, ajo nuk ka deklaruar pasuri të luajtshme, aksione në kompani, letra me vlerë apo kriptovaluta.

Në pjesën e mjeteve financiare, Gashi ka bërë të ditur se zotëron 1,003.23 euro në Raiffeisen Bank në Kosovë, ndërsa në një llogari tjetër në SHBA (Veridian Credit Union, Iowa) ka vetëm 10.92 dollarë, të barasvlershme me 0 euro në dokument.
Zëvendësministrja ka edhe dy detyrime financiare aktive.
Kredia e parë në Raiffeisen Bank, e marrë për renovim, është hapur më 25 shkurt 2022, me afat përfundimtar 03 mars 2028, dhe ka mbetur për t’u paguar shuma 25,640 euro nga vlera fillestare prej 36 mijë eurosh.
Ndërkohë, kredia e dytë është një kartelë kreditore e hapur më 31 mars 2015, me afat deri më 01 prill 2027, për të cilën deklarohet një borxh i mbetur prej 1,499.60 euro nga totali prej 2 mijë eurosh.

Sa i përket donacioneve dhe shpenzimeve të veçanta, Gashi nuk ka deklaruar asgjë.
Në të ardhurat vjetore, zëvendësministrja ka raportuar 17,299.48 euro nga paga neto e saj në MPJD, ndërsa nga mëditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit ka përfituar edhe 2,306.66 euro gjatë vitit.

Liza Gashi, e lindur më 30 shtator 1990 në Gjilan, është e njohur për themelimin e GERMIN, organizatë që ka shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe diasporës shqiptare.
Megjithatë, në vitet e fundit, Liza e la udhëheqjen e GERMIN për t’iu përkushtuar politikës, duke u angazhuar si Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 dhe duke kandiduar më pas për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje.
Debati për fondet publike dhe konfliktin e interesit
GERMIN, organizata e themeluar dhe drejtuar nga Liza Gashi, njihet për lidhjen e Kosovës me diasporën shqiptare dhe projekte zhvillimore ndërkombëtare. Megjithatë, kur Gashi u largua për të hyrë në politikë si Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, emri i organizatës u përfshi në debatet për përfitime institucionale.
Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për keqpërdorim të pozitës, duke përmendur GERMIN dhe Caritas-in zviceran në kontekstin e pretendimeve për mbi 1 milion euro.
Dyshimet lidhnin ish-udhëheqësit e organizatës me dhënien e fondeve për shërbime që GERMIN kishte ofruar, para se Gashi të bëhej zëvendësministre.
Organizata ka mohuar çdo përfitim dhe ka cilësuar përmendjen e saj si të pavërtetë dhe të dëmshme për reputacionin.
Në qershor të vitit 2024, Zyrja Kombëtare e Auditimit raportoi një pagesë prej 6,431 eurosh nga MPJD për transportin e 40 pjesëmarrësve të diasporës në kuadër të programit “OriginAL” të GERMIN, pa procedurë konkurruese. Pagesa ishte kategorizuar si “mallra dhe shërbime”, ndonëse sipas ZKA-së duhej të klasifikohej si “subvencione dhe transfere”.
“Po ashtu, bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet MPJD dhe OJQ “Germin”, Ministria kishte kryer një pagesë në vlerë 6,431€ për transportin e 40 pjesëmarrësve të diasporës për dy javë gjatë muajit Gusht 2023, për realizimin e programit OriginAL. Pagesa është bërë në bazë të faturës së lëshuar për ministrinë nga kompania e transportit. Kjo pagesë është kryer nga kategoria mallra dhe shërbime por ministria nuk kishte kontraktuar e as zhvilluar asnjë procedure konkurruese për pranimin e këtij shërbimi dhe vetëm ka ofruar mbështetje financiare për realizimin e programit të OJQ-së e cila kishte përgatitur edhe raport narrativ për ministrinë rreth realizimit të projektit. Për nga natyra kjo formë e mbështetjes financiare i takon kategorisë subvencione dhe transfere”, thuhej në gjetjen e ZKA’së.
Përpara se të emërohej zëvendësministre e MPJD’së, Liza Gashi njihej si “aktiviste për çështje të diasporës” dhe punonte si drejtoreshë e programeve në “Germin”.
Për ironi të këtyre gjetjeve, ajo më 2018-ën në një deklaratë thoshte se “po rritet mosbesimi i diasporës ndaj institucioneve shtetërore“.














