Qytetarë të shumtë kanë shprehur pakënaqësi dhe nervozizëm ndaj Qeverisë, pasi subvencionimi i energjisë elektrike, i premtuar për gjashtë muaj, sipas tyre është ndërprerë pas vetëm tre muajsh.
Qeveria kishte deklaruar publikisht se do të subvencionojë faturat e rrymës për konsumatorët e cenueshëm përgjatë gjithë sezonit dimëror, për një periudhë gjashtëmujore. Madje, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, më 13 tetor 2025 ishte hapur aplikimi për programin e subvencionimit të energjisë elektrike për familjet në nevojë.
Sipas njoftimit zyrtar të asaj kohe, për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhej drejtpërdrejt në faturë për periudhën tetor 2025 – mars 2026, duke përfshirë gjashtë muajt e dimrit. Megjithatë, shumë qytetarë raportojnë se këtë muaj subvencionimi nuk është reflektuar në faturat e tyre, ndonëse presin që skema të vazhdojë sipas zotimeve të dhëna.
“Na është thënë se do të subvencionohemi për gjashtë muaj. Tani kanë kaluar vetëm tre dhe këtë muaj nuk kemi asnjë lehtësim në faturë,” shprehen disa nga përfituesit, duke e konsideruar situatën si mungesë serioziteti dhe transparence nga ana e institucioneve.














