Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka ngritur sot çështjen e kohës për ankesa gjatë procesit të rinumërimit në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ai pyeti nëse “publikimi i rezultateve përfundimtare është në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së, duke e ditur që në njëfarë forme po i mohojmë të drejtën e ankesës subjekteve politike, kandidatëve e qytetarëve në raport me administrimin e procesit për ditën e djeshme, pra që e kanë një afat deri në ditën e nesërme”.
KQZ u mblodh sot për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndërsa mbrëmë përfundoi rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se nuk ka pasur asnjë vërejtje nga vëzhguesit për procesin e rinumërimit dhe sqaroi se e drejta për ankesa mund të përdoret brenda 48 orëve nga shkelja e supozuar.
“I gjithë procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe kanë mbetur edhe dy ditë të afatit për ankesa, por asnjë vërejtje nuk është dhënë gjatë këtij procesi. Nëse e prolongojmë ende, shumë procese do të shtyhen, pra nuk mund t’i arrijmë disa afate. Ne nuk e mohojmë të drejtën e ankesës, sepse pas shpalljes së rezultateve palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në PZAP”, tha Radoniqi.














