Kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetët socialistë të Tiranës dhe drejtues të pushtetit vendor të kryeqytetit, ka paralajmëruar se do të konfiskohen të gjitha ndërtesat që kanë kate pa leje.
Rama e cilësoi ndërtimin pa leje të kateve si një shkelje ligji me vetëdije, ndersa shtoi se nuk do ketë konfiskim të pjesshëm të këtyre godinave, por të plotë. Ai theksoi se këto ndërtesa do kalojnë në duart e shtetit dhe do përdoren për strehim, për njerëzit në nevojë.
“Kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimi, mbi 2% të kufijve të lejeve. 2% është normale, por kur tejkalon dhe shkelet do të provokojë sekuestrimin e të gjithë ndërtesës jo të pjesshme. Ndërtimi i kateve shtesë për qëllim fitimin, nuk bëhet në një moment, por me muaj, janë një shkelje me vetëdije. Do sjellë kalimin e menjëherë të asaj prone në duart e shtetit. Do të mbrohen blerësit dhe do përdoret pjesa tjetër për strehim, për njerëzit në nevojë.”, ka thënë Edi Rama.
Ndërtimi i kateve pa leje (mbindërtime) është një praktikë që po përdoret edhe në Kosovë nga ndërtues të pandërgjegjshëm të objekteve banesore.
Veriu.info ditëve të fundit ka raportuar se si në Mitrovicë kompania “Medi Premium” po ndërton “Penthouse” pa leje mbi katet e objekteve që i ka me leje.