Rama u shpreh se pretendimet se qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë këtyre projekteve janë “gënjeshtra të përhapura në mënyrë të përsëritur”, ndërsa i ftoi qytetarët të verifikojnë vetë faktet.
“Ejani të shikoni se kush u ka thënë në mënyrë të përbindshme të përsëritur se ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura. Ju ka sharruar me një rrenë shumë të fortë”, tha Rama.
Ai theksoi se zhvillimi i projekteve në Zvërnec do të varet vetëm nga cilësia e investimit të propozuar dhe jo nga vendime të paracaktuara politike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria synon të kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik në Mesdhe, ndërsa këto projekte, sipas tij, përfaqësojnë “investime strategjike me vlerë të madhe për vendin”.
Rama deklaroi gjithashtu se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare për projektin në Sazan, duke sqaruar se procesi është ende në fazë negociatash.
“Nuk ka status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Nuk ka asnjë marrëveshje ende. Ka vetëm negociata”, u shpreh ai.
Ai shtoi se shteti shqiptar nuk synon të shesë apo të japë me qira pronat publike, por të jetë partner në investime që, sipas tij, i shërbejnë interesit publik.
Rama komentoi edhe reagimet ndërkombëtare për protestat, duke i cilësuar ato si pjesë e një “përplasjeje politike e ideologjike” që nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.
Sipas tij, interesimi i disa figurave politike të huaja nuk ka lidhje me mjedisin apo investimet konkrete, por me zhvillime të tjera politike ndërkombëtare.
Kryeministri u ndal edhe te debati për raportin mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, duke theksuar se këto dy elemente, sipas tij, duhet të ecin paralelisht.
“Nuk ka zgjedhje mes natyrës dhe zhvillimit. Sfida është t’i bëjmë të dyja bashkë”, tha Rama.










