Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar se Kosova ka qenë jokonsistente në ndëshkimin e shkelësve të të drejtave të njeriut.
Në raportin që është publikuar sot lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në botë, janë dhënë detaje edhe për Kosovën.
Në pjesën ku flitet për Kosovën thuhet se Qeveria ka ndërmarrë “hapa kredibilë, por jokonsistent në identifikim, dhe hetimin e zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut, raporton REL.
Në raport janë përmendur shqetësimet e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) që tregojnë se media kanë qenë disa herë shënjestër e fushatave të shpifjeve.
“AGK-ja ka raportuar se zyrtarë qeveritarë, përfshirë kryeministrin dhe pjesëtarë të partisë politike në pushtet janë përfshirë në fushata shpifjeje për të minuar besimin e publikut në media”, është thënë në raportin që është publikuar të martën.
Ndër të tjera, në raport përmenden rastet kur zyrtarë qeveritarë kanë linçuar gazetarët.
“Gazetarët kanë thënë se presioni prej politikanëve dhe grupeve të organizuara kriminale ka rezultuar shpesh me vetcensurë. Disa gazetarë janë përmbajtur nga hulumtimet për shkak të frikës për sigurinë fizike apo sigurinë në punë. Gazetarët kanë pranuar se në disa raste u janë ofruar përfitime financiare, në këmbim të raportimeve pozitive apo për braktisje të hulumtimeve”, është thënë në raport.